Seanca në administrative për Erion Veliaj u vendos që të mbahej e mbyllur. Pas ndërprerjes së transmetimit live, tashmë seanca ka vijuar me dyer të mbyllura.
Gazetarja Klodiana Lala tha se gjatë fjalës së tij Erion Veliaj ka thënë se kërkon transparencë.
Të lidhura
None found
“I nderuar gjyqtar ju falënderoj për fjalën, por kjo vjen pas një shqetësimi, me vendimin e ndërmjetëm, prisja të kishte transparencë, ky proces ka lulëzuar në errësirë. KLP duhet të mbronte gazetarët të mbronte veten e vet. KLP ka kthyer një përgjigje se kush është caktuar para nesh, të gjithë duhet të kërkonim transparencë, ka një palë që do errësirë dhe një palë që do dritë”, ka thënë Erion Veliaj.
Pjesë nga deklarata e Veliaj;
Prej më shumë se dy vitesh, menjëherë pas zgjedhjes sime për herë të tretë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jam vënë përballë një sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik; një përplasje që, në përfundim të saj, arriti deri në heqjen e lirisë sime personale dhe në pamundësimin e ushtrimit të mandatit që ma besuan 160 mijë qytetarë të Tiranës.
Madje, edhe pasi fitova formalisht mandatin tim në Gjykatën Kushtetuese, pas një përpjekjeje tjetër për ta shfuqizuar atë, unë vijoj të mbahem me këmbëngulje në paraburgim dhe izolim, ndërkohë që vetë ligjshmëria e burimit të atij pushteti penal ndodhet sot përpara kësaj gjykate për shqyrtim.
Është kontrolluar çdo aspekt i jetës sime. Është hetuar çdo dimension personal dhe familjar i imi.
Mbi mua dhe familjen time është ushtruar, në thelb, një formë e plotë “vetingu” jo administrativ por penal, 2 jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti. E megjithatë, gjatë gjithë kësaj kohe, unë kam bashkëpunuar me drejtësinë në çdo moment. Kam kontribuar për të lehtësuar punën e saj. Nuk kam pasur asnjë hezitim, asnjë drojë dhe asnjë mëdyshje për t’u përballur me procesin dhe me të vërtetën as dje, as sot Dhe pikërisht këtu fillon paradoksi i vërtetë i kësaj çështjeje. Sepse për më shumë se dy vite u përdor çdo mekanizëm i mundshëm politik, mediatik dhe juridik për të më sjellë përpara drejtësisë, në mënyrën më denigruese të mundshme, për një njeri që akoma mban besimin e një qyteti të tërë për drejtimin e tij.
U përdorën hetime, përgjime, kontrolle, ekspozim publik dhe çdo formë tjetër e ushtrimit të pushtetit penal, me argumentin se unë duhej të vihesha përballë drejtësisë. Sot që unë ndodhem përpara drejtësisë, me vullnetin e plotë për t’u përballur me të, paradoksi është se i njëjti mekanizëm duket se nuk do më një përballje reale me drejtësinë, por një përballje të kufizuar, të kontrolluar, të shpejt dhe proceduralisht të cunguar.
Sepse nuk kërkohet vetëm kufizimi i lirisë sime fizike. Kërkohet edhe kufizimi i mundësisë sime për t’u mbrojtur efektivisht e përballur me dinjitet.
Mua nuk më lejohet të kem akses të plotë dhe real në dosje. Nuk më lejohet të dëgjoj të gjitha përgjimet e kryera ndaj meje. Nuk më lejohet komunikimi me avokatët e mi ndërkombëtarë. Nuk më lejohet të informoj opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar mbi natyrën reale të kësaj 3 çështjeje. Sigurisht, nuk më lejohet as ushtrimi i mandatit që qytetarët e Tiranës më kanë besuar.
Pra, ndërsa mbi mua ushtrohet çdo kufizim që mund t’i ushtrohet një qytetari, njëkohësisht bëhet gjithçka që unë të mos mund të ushtroj në mënyrë efektive ato të drejta që vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë m’i garanton. Dhe sa herë që përpiqem të ushtroj një prej këtyre të drejtave, krijohen pengesa të reja proceduriale, të cilat jo vetëm e bëjnë ushtrimin e tyre gjithnjë e më të vështirë, por përdoren më pas edhe kundër meje, për të justifikuar cenime të mëtejshme të lirisë sime personale.
Vetë ky gjykim, ku ndodhemi sot, është një tjetër provë e këtij paradoksi absurd. Sepse edhe sot pala përballë, në thelb, nuk kërkon që gjykata të shqyrtojë pretendimin tim në themel. Kërkon që gjykata të mos hyjë fare në themelin e çështjes. Kërkon që Ju, zoti Gjyqtar, të mos shqyrtoni ligjshmërinë e pushtetit që është ushtruar mbi mua dhe mbi institucionin që unë përfaqësoj. Dhe kjo është ajo që e bën këtë çështje shumë më të rëndë sesa një debat procedural.
Sepse në thelb të pretendimit që paraqitet përpara Jush qëndron ideja se unë nuk paskam të drejtë t’i kërkoj gjykatës kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që më hoqi lirinë personale; të autoritetit që më vendosi në përgjim; që kontrolloi jetën time private dhe 4 të familjarëve të mi; të autoritetit që hyri në çdo dimension të jetës sime personale dhe institucionale.
Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: “Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?”. Pra, pushteti mund të ndërhyjë mbi mandatin e një kryetari bashkie edhe në kundërshtim me kufijtë që vendos vetë ligji, por kryetari i zgjedhur nuk paska të drejtë të pyes: “Me çfare legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi bashkine dhe mbi kete qytet”?
