U arrestua për “arsye sigurie”, mjeku palestinez vdes në burgjet izraelite katër muaj pas arrestimit

Një mjek palestinez ka vdekur në një burg izraelit, pas më shumë se katër muajsh në paraburgim, kanë thënë shoqatat palestineze të të burgosurve.

Bëhet fjalë për Dr Adnan Al-Bursh, 50-vjeç, ishte kreu i ortopedisë në spitalin al-Shifa. Shërbimi i burgut izraelit konfirmoi në një deklaratë të publikuar më 19 prill, në lidhje me një të burgosur që ishte ndaluar për arsye sigurie kombëtare dhe kishte vdekur në burgun Ofer ishte Dr Al-Bursh.

Nuk u dhanë detaje për shkakun e vdekjes dhe shërbimi i burgut tha se ngjarja po hetohet. Por grupet palestineze të mbrojtjes së të burgosurve thanë në një deklaratë të përbashkët të enjten se vdekja e Dr Al-Bursh ishte një “vrasje” dhe trupi i tij ende mbeti në paraburgimin izraelit.

Dr Al-Bursh ishte kreu i ortopedisë në objektin më të madh mjekësor të Gazës, spitalin al-Shifa, i cili është bastisur disa herë nga forcat e armatosura izraelite.

Ai ishte duke punuar përkohësisht në spitalin Al-Awada në veri të Gazës kur u ndalua nga forcat izraelite. Kolegët i kanë bërë homazhe kirurgut të ndjerë, duke e cilësuar atë si “të dhembshur” dhe “heroik”.

Drejtori i Al-Shifa, Dr Marwan Abu Saada, tha se lajmi i vdekjes së tij ishte i vështirë për t’u përballuar nga shpirti njerëzor. Një koleg tjetër, Dr Suhail Matar, e quajti Dr Al-Bursh “valvula e sigurisë” për çdo departament ortopedik në të gjitha spitalet e Gazës.

“Është e rrallë që ju të takoni një person si ai në jetën tuaj, sepse ky mjek punoi gjithë jetën e tij me përkushtim dhe bënte përpjekje të jashtëzakonshme në kurriz të tij,” tha Dr Matar për programin Gaza Lifeline të BBC.

Ai e përshkroi kolegun e tij të ndjerë si një njeri që nuk u lodh kurrë duke punuar dhe që “të gjithë e donin dhe buzëqeshja e tij nuk u shua kurrë”.

Francesca Albanese, Raportuesja Speciale e OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në Bregun Perëndimor dhe Gaza, tha se ishte “jashtëzakonisht e alarmuar” nga lajmi për vdekjen e Dr Al-Bursh dhe i bëri thirrje komunitetit diplomatik të marrë masa konkrete për të mbrojtur palestinezët.

Ndërkohë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se presidenti Joe Biden, ka diskutuar me Izraelin rëndësinë e mbrojtjes së punonjësve humanitarë në Gaza.


Shtuar 4.05.2024 08:18