Gjykata e Posaҫme Antikorrupsion, vendosi t’i kthejë aktet SPAK-ut për deputetin e Partisë Demokratike, Qani Xhafa për ta hetuar, lidhur me aksidentin e shënuar më 13 mars të vitit 2023, në bulevardin Qemal Stafa në Elbasan.
Vendimi u mor nga gjyqtari Erjon Çela, i cili shqyrtoi në seancën e kësaj të hënë kërkesën e Gjykatës së Elbasanit, që shpalli moskompetencë lëndore për ҫështjen e deputetit.
Sipas GJKKO, hetimet deri më tani janë bërë nga një prokurori jokompetente dhe do t’i kalojnë SPAK-ut, duke qenë se Xhafa është subjekt që duhet të hetohet nga kjo prokurori.
Prokuroria e Posaҫme, do të marrë në shqyrtim dosjen e deputetit, ku pas kryerjes së hetimeve do ia referojë GJKKO për veprime të mëtejshme.
Ndaj Qani Xhafës, është ngritur akuza për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Aksidenti u shënua në kohën kur Xhafa ishte kandidat për deputet.
Pasi Luçiano Boҫi la mandatin për të garuar për kryetar Bashkie, automatikisht Qani Xhafa u fut në parlament.