Berisha thirrje demokratëve: Të shtunën në protestë, studentët po luftojnë për të gjithë ne

Sali Berisha u ka bërë thirrje anëtarëve të Partisë Demokratike që të marrin pjesë në protestën kombëtare të së shtunës, e planifikuar të nisë në orën 12:00 në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve që po protestojnë në Tiranë.

Përmes mesazhit të tij, kreu i PD-së e ka përshkruar reagimin e të rinjve si një revoltë “epike e frymëzuese”, ndërsa ka akuzuar qeverinë për ushtrim dhune ndaj protestuesve.

Të lidhura

None found

“Të dashur anëtarë dhe anëtare të PDSH-së! Me këtë mesazh ju përshëndes përzemërsisht dhe kërkoj nga secili prej jush që nesër, në orën 12:00, të jeni në Protestën Kombëtare të PD-së, në mbështetje të revoltës epike e frymëzuese të studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës, si dhe kundër dhunës shtazore të narkorregjimit të Edvin Kristaq Xhelatit ndaj tyre! Studentët po luftojnë për ne. Nesër të gjithë në protestë! Me respekt, Sali Berisha”, thuhet në mesazhin e Berishës.

Gjatë ditës së shtunë, në kryeqytet janë paralajmëruar tri protesta, të cilat do të zhvillohen në orare të ndryshme.

Protesta e parë pritet të nisë në orën 10:00, kur pedagogët do të mblidhen pranë oborrit të Universitetit Politeknik. Më pas, ata pritet të marshojnë në drejtim të Kryeministrisë.

Ndërsa protesta e studentëve të Mjekësisë, e mbështetur edhe nga grupe të tjera studentësh, pritet të nisë në orën 11:00 ose 12:00. Pjesëmarrësit do të marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Në orën 12:00 është planifikuar edhe protesta kombëtare e Partisë Demokratike, e cila do të zhvillohet në mbështetje të studentëve. Të tria tubimet janë njoftuar si paqësore.