“Turqia nuk ka kohë për të humbur”, Edrogan firmos vendimin: Zgjedhjet do të mbahen më 14 maj

Zgjedhjet presidenciale në Turqi do të mbahen më 14 maj, ashtu siç ishte vendosur para tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit.

Pas tërmeteve që shkaktuan më shumë se 47 mijë viktima, u përfol se data e zgjedhjeve do të shtyhej, por presidenti Erdogan ka nënshkruar mesditën e sotme vendimin.

Presidenti turk tha se “Turqia nuk ka kohë për të humbur. Kështu, unë po nënshkruaj vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve më 14 maj. Sipas vendimit, të dielën e parë pas 2 muajsh, kombi ynë do të shkojë në zgjedhje për të zgjedhur presidentin dhe deputetët.”

“Shpresoj që vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të jetë i dobishëm për vendin tonë, kombin tonë dhe partitë tona politike. Siç dihet tashmë e kemi ndarë me publikun vendimin për përditësimin e zgjedhjeve më 14 maj”, vijoi presidenti turk, i cili e arsyetoi vendimin e tij për ta çuar më herët procesin zgjedhor, duke thënë se “para së gjithash, 18 qershori ishte një datë që përkoi me kalendarin e provimeve universitare. Gjithashtu, në vijim është data në të cilën qytetarët tanë nga Turqia dhe jashtë vendit do të kryejnë detyrën e Haxhit. Pra, si alternativë kemi ofruar datën 14 maj.”/Albeu.com.


Shtuar 10.03.2023 12:42