Turqia mbyll procesin zgjedhor, por njerëzit presin ende ne radhë, a do të lejohen të votojnë?

Qendrat e votimit në Turqi mbyllen në orën 17:00, por për shkak të radhëve të gjata të votuesve, Oda e Avokatëve të Stambollit tha se njerëzit që presin në radhë do të lejohen të hedhin votën e tyre.

Sipas ligjit, kreu i komisionit të kutive të votimit duhet të mbledhë dokumentet e identitetit të kujtdo që është ende në radhë dhe t’i lejojë ata të votojnë pas kohës së caktuar.

Zgjedhjet në Turqi janë duke u zhvilluar teksa presidenti Rexhep Tajip Erdogan përballet me sfidën më të madhe politike të qeverisjes së tij prej dy dekadash.

Rivali i tij kryesor është kreu i opozitës Kemal Kilicdaroglu.

Më shumë se 64 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë për të zgjedhur një president dhe parlament për një mandat pesë-vjeçar.

Njerëzit kanë pritur në radhë të gjata nëpër qytete ndërsa mijëra njerëz dolën në qendrat e votimit për të votuar në zgjedhjet e vendit.

Sipas Al Jazeera, rezultatet zyrtare të zgjedhjeve do të dalin brenda tre ditësh.


Shtuar 14.05.2023 16:25