Një ngjarje tragjike ka tronditur fshatin Domen të Postribës, në Shkodër, ku një 24-vjeçare dhe dy fëmijët e saj të mitur humbën jetën në zjarrin që përfshiu banesën.
Viktimat janë Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj, njëri 3 vjeç dhe tjetri 1 vjeç e gjysmë. Nëna dhe të miturit sapo ishin kthyer nga Gjermania, me synimin për të qëndruar disa ditë në vendlindje.
Të lidhura
None found
Të dhënat paraprake tregojnë se familja kishte shkuar gjatë ditës në shtëpinë e vjetër të familjes në Domen, e cila prej kohësh ishte e pabanuar, për ta pastruar dhe për të qëndruar aty.
Në ambientet e banesës është gjetur një bombol gazi, tek e cila janë përqendruar dyshimet e para të hetuesve. Nuk përjashtohet që zjarri të jetë shkaktuar nga shpërthimi i saj, por shkaku i saktë i tragjedisë pritet të përcaktohet vetëm pas përfundimit të hetimeve.
Ndërhyrja e ekipeve të emergjencës u pengua nga terreni i thepisur ku ndodhej shtëpia. Nga rruga kryesore deri në zonë duhen rreth 20-30 minuta ecje, duke sjellë kështu vonesë në mbërritjen e zjarrfikësve.
Në momentin kur policia dhe shërbimet zjarrfikëse arritën në vendngjarje, banesa ishte djegur tërësisht. Brenda saj u gjetën pa shenja jete të tre viktimat. Sipas informacioneve paraprake, njëri nga fëmijët ndodhej pranë nënës, ndërsa fëmija tjetër u gjet disa metra më tej.
Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon veprimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.
