Tragjedia në Himarë vë në lëvizje policinë, bllokohen 3 mjete lundruese në Sarandë

Një ditë pas tragjedisë në Himarë, ku skafi me drejtues komisar Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjeçaren, policia e Sarandës ka bllokuar 3 mjete tjera lundruese.

Ndërsa pronarët e 3 mjeteve lundruese “Jet ski” janë ndëshkuar për manovra të rrezikshme, duke rrezikuar jetën e pushuesve, në plazhin e quajtur “Gjiri i Lapajve”.

Njoftimi i policisë:

Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë

Mbrëmjen e djeshme, janë bllokuar nga Policia edhe 3 mjete të tjera lundruese, në kuadër të masave të marra për sezonin turistik.

Gjatë 2 muajve të fundit, Policia Kufitare e Sarandës ka bllokuar 29 mjete lundruese, konkretisht 14 skafe dhe 15 “Jet ski”.

Ndëshkohen me masë administrative pronarët e 3 mjeteve lundruese “Jet ski”, të bllokuara mbrëmjen e djeshme, të cilët kryen manovra të rrezikshme, duke rezikuar jetën e pushuesve, në plazhin e quajtur “Gjiri i Lapajve”.

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve të mjeteve lundruese, duke marrë shkas dhe nga pamjet filmike të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqeshin disa shtetas që kryenin manovra të rrezikshme me mjete lundruese, në det, duke rrezikuar pushuesit, kanë bërë të mundur lokalizimin e 3 mjeteve lundruese “Jet ski”.

Pas lokalizimit të tyre, në bazë të ligjit nr.127, datë 15.10.2020, neni 14/b, u ndëshkua me masë administrative 10.000 lekë të rinj, shtetasi R. H., 24 vjeç, banues në Sarandë, pronar i një mjeti lundrues dhe me masë administrative 20.000 lekë të rinj, shtetasi R.Ç., 21 vjeç, banues në Sarandë, pronar i dy mjeteve lundruese (10.000 lekë për secilin mjet).

Gjithashtu u bë bllokimi i të 3 mjeteve lundruese “Jet ski” me të cilët u kryen manovra të rrezikshme, në plazh, pasi gjatë kontrollit kanë rezultuar pa dokumentacionin përkatës, në bord.

Policia Kufitare do të vijojë kontrollet dhe fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.


Shtuar 3.08.2022 09:01

Tags: