Gazetarja e “Piranjave”, Aida Topalli, ka reaguar për tragjedinë e ndodhur një ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë, ku skafi i drejtuar nga oficeri i policisë Arjan Tase, i mori jetën vogëlushes së pafajshme, 7-vjeçares Jonada Avdia.
Përmes një postimi në faqen e saj në Facebook, Topalli shtron pyetjen se çfarë nuk shkon dhe pse institucionet shqiptare, policia, oficerë si Arjani dhe Arjanë të tjerë sot nuk janë më në shërbim të qytetari, dhe në vend që të na mbrojnë edhe na vrasin.
Sipas saj sot ka oficerë policie si Arjani po shumë Arjanë të tjerë që pasurohen brenda ditës, bëhen me vila brenda natës dhe askush nuk u kërkon llogari.
Ajo thotë gjithashtu se oficeri që i mori jetën Jonadës së vogël i janë mbushur llogaritë bankare nga krimi, madje e kanë bërë edhe me vilë në Himarë.
Postimi i plotë i Topallit:
Zhurmë, kaos… njerëz të grumbulluar, që bërtasin e ulërasin… deti valëzon ende nga shpejtësia e një “përbindëshi”… një nënë që çirret, duke mos dashur ta besojë që iu shua drita e syve… Një baba që i kërkon llogari drejtuesit të “përbindëshit”. Dhe ai, tërësisht i papërgjegjshëm, defiçent e arrogant, i përgjigjet sikur do t’i thojë që jam polic dhe si i tillë, mund të të marr edhe jetën, dhe ti s’më bën dot asgjë…
Sot, një ditë pas “gjëmës” që ra në Himarë, plazhi është bosh. Është vetëm kukulla që pret Jonadën të lozë me të. Janë vetëm rrobat e saj që presin t’i veshë… Janë edhe disa lule… dhe qirinjtë e shuara, të vendosura një natë më parë nga pushuesit, për shpirtin e engjëllit të pafajshëm…
Unë, kolegët e mi dhe mediat që raportojnë, shkruajnë e postojnë lajme… Shumica e të cilave, janë kërkesë llogarie.
Njëlloj siç bëmë me Ardit Gjoklajn, Klodian Rashën, apo të gjithë ata fëmijë e të rinj, “të vrarë” nga “dora e zezë” e pushtetit.
Sot, po një ditë më pas, shteti u ngrit dhe shkoi bregdeteve, për të treguar edhe njëherë “dorën e hekurt”.
Sot, një ditë më pas, kryeministri i vendit çohet dhe thotë se ky është sezoni më i sigurtë turistik që ka njohur ndonjëherë vendi ynë. A thua se ne nuk jetojmë këtu…
Mirë qenkemi të sigurtë… mirë i bëmë edhe lajmet… mirë protestuam para Ministrisë së Brendshme. Mirë iku Gledis Nano, iku edhe Bledi Çuçi…
Por a e zgjidh kjo situatën? Jonada iku… për fajin e gjithësecilit. Iku për fajin tonë që nuk reagojmë çdo ditë, por reagojmë vetëm kur ndodh diçka. Iku për fajin tonë, sepse nuk kemi bërë kurrë sa duhet si popull, që të ndryshojmë disa gjëra që janë krejt minimale, e para siguria e jetës. Iku për fajin e atyre që mbyllin sy e veshë përpara problematikave serioze që kemi. Iku për faj të mungesës së masave serioze të ndërmarra nga Ministria e Turizmit. Iku për faj të Arjanit, njeriut që presupozohej që njeh ligjin dhe që duhej ta ndalonte skafin jo më afër se 300 metra nga bregu i detit. Iku për faj të mungesës së rojeve bregdetare. Iku për faj të tolerimit që i bënë kolegët e tij, se skafin mund ta fuste kudo. Mundësisht, për shkak të miqësive në nivele të larta, mund të vazhdonte t’i jepte gaz skafit edhe në mes të shezlongeve. Mund të vriste edhe njerëz të tjerë.
Por faji më i madh është i yti Arjan. I yti dhe i atyre Arjanëve që të dhanë krahë e zemër, e madje-madje, të frynë edhe xhepat e llogaritë bankare. Madje të bënë edhe me vilë në Himarë Arjan.
Nuk është jeta skaf e luks Arjan… Tënden mund ta jetosh si të duash. Por të paktën mos prekje tek e jona o shef.
Sot, të bllokosh 3 skafe nuk është zgjidhje. Nuk është zgjidhje as të nxjerrësh grupe efektivësh apo monitoruesish nga ministria përkatëse.
Ju mendoni se do i ndaloni “çunat e babit” dhe “çunat e Spanjës, Londrës, Belgjikës”, përsa kohë ata blejnë shefat, drejtorët, ministrat…
Aksioni do zgjasë tre ditë, dhe ata do të vazhdojnë sërish. Se kanë dhënë pjesën. Nuk mundet askush t’i pengojë. Përndryshe fluturon në Tropojë, Kukës, e Macukull.
Unë shpresoj shumë, që të kenë marrë mësim dhe të mos bëjnë drifte në breg, për t’i rënë në sy vajzës me trupin e fytyrën gjithë Botox.
Uroj me shpirt që raste të tilla të mos ndodhin më. Lutem që asnjë i pafajshëm të mos vuajë pasojat e veprimeve të këtyre huliganëve, që marrin përqindje nga grupet e shpërndarësve të kokainës./albeu.com/