Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka shprehur ngushëllimet për dy pilotët e avionit zjarrfikës që humbën jetën dje në krye të detyrës në Greqi.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Peleshi shkruan se vendi ynë solidarizohet me Greqinë, ndërsa thotë se “jemi të gatshëm të ndihmojmë në çdo mënyrë që mund të nevojitet”.
Ndër të tjera Peleshi shprehet se humbja e dy pilotëve tregon shërbimin e paçmueshëm të çdo ushtaraku që është i gatshëm rrezikojë jetën e tij për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve të vendit.
Kujtojmë se dy pilotët grekë humbën jetën kur avioni i tyre zjarrfikës u rrëzua gjatë shuarjes së zjarreve.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shprehu shqetësimet për ditët sfiduese në vazhdim, pasi zjarret vazhduan të shkatërronin shtëpi dhe e bënë të nevojshëm evakuimin e turistëve nga ishulli i Rodosit.
Avioni, i tipit Canadair CL-215, u rrëzua në ishullin Evia, në lindje të Athinës, ku humbën jetën kapiteni 34-vjeçar dhe bashkë-piloti 27-vjeçar. Këto janë viktimat e para të raportuara nga zjarret në Greqi.
Transmetuesi shtetëror ERT tregoi pamjet e avionit duke hedhur ujë për të shuar zjarrin përpara se të përplasej në një kodër dhe të shpërthejë në flakë.
Zjarrfikësit, së bashku me ndihmë nga Turqia dhe Sllovakia, po luftonin me zjarret që kanë shpërthyer në ishullin Rodos që nga e mërkura.
Flakët u ringjallën për shkak të nxehtësisë dhe erës. Kryeministri Mitsotakis tha të martën se ditët e ardhshme do të jenë të vështira, me kushtet që mund të përmirësohen tek pas të enjtes.
“Të gjithë ne jemi në gatishmëri të lartë” tha ai. “Përballë asaj që po përballet i gjithë planeti, veçanërisht Mesdheu, i cili është një pikë e nxehtë e ndryshimeve klimatike, nuk ekziston asnjë mekanizëm mbrojtës magjik, nëse do të kishte ne do ta kishim zbatuar atë”, shtoi kryeministri grek.
Greqia ka shënuar temperatura shumë të larta javëve të fundit dhe ato pritet të mbeten të tilla së paku deri të mërkurën, duke i tejkaluar 44 gradë Celsius në disa zona. Rreth 20.000 njerëz u larguan nga shtëpitë dhe hotelet në Rodos, ditëve të fundit, pasi zjarret që nisën një javë më parë, u përhapën dhe arritën vendpushimet bregdetare në juglindje të ishullit.
Turizmi përbën 18% të prodhimit të Greqisë dhe një në pesë vende pune. Në Rodos dhe shumë ishuj të tjerë grekë, varësia nga turizmi është edhe më e madhe./albeu.com/