Tre persona janë arrestuar pas aksidentit të rëndë me teleferik në Itali. Sipas medieve italiane, mes të arrestuarve janë edhe shefi dhe inxhinieri i kompanisë Ferrovie del Mottarone, që operonte teleferikun. Mediat thonë se po hetohet për vrasje për shkak të neglizhencës.
Prokurorja Olimpia Bossi tha: “Fotot tregojnë se kishte një ndërhyrje në sistemin e frenave të emergjencës. Piruni metalik që bllokon frenat ishte i fiksuar. Hetimi deri më tani ka treguar se kjo është bërë për të parandaluar ndërprerjet e përsëritura në teleferik”.
Mesa duket, teleferiku kishte nisur të kishte probleme së fundmi.
“Për të eliminuar këto probleme, operatorët, me dijeninë e plotë të shefave, nuk e hoqën pirunin metalik. Kështu që kur u prish kablloja, sistemi i frenave të emergjencës nuk funksionoi”.
Në aksidentin e së dielës humbën jetën 14 persona.
Vetëm një 5-vjeçar mbijetoi. Vogëlushi Eitan akoma nuk e di se ka humbur katër anëtarë të familjes.