Një aeroplan i “Air India” me 242 pasagjerë në bord, është rrëzuar pranë aeroportit në Ahmedabad të Indisë. Pamjet nga vendi i ngjarjes, tregojnë tym të zi të dendur që ngrihet në qiell.
Sipas raportimeve, avioni po shkonte drejt Mbretërisë së Bashkuar, saktësisht në Gatwick të Londrës.
Sipas “Air India”, po studiohen detajet dhe do të jepen përditësime të mëtejshme sa më shpejt të jetë e mundur.
Aeroplani u rrëzua menjëherë pas ngritjes nga Ahmedabadi me 242 persona në bord, përbërë nga 2 pilotë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit të kabinës, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil.
Me shumë mundesi nuk ka asnjë të mbijetuar në rrëzimin e aeroplanit të pasagjerëve “Air India”, i cili po fluturonte nga qyteti indian i Ahmedabadit për në Londër të enjten, me më shumë se 242 persona, raporton AP.
“Duket se nuk ka të mbijetuar në rrëzimin e avionit”, tha për AP Komisioneri i Policisë GS Malik.
Ai shtoi se; meqenëse avioni u rrëzua në një zonë banimi me zyra, “disa vendas vdiqën gjithashtu”.
“Numri i saktë i viktimave po përcaktohet”, tha ai.
Aeroplani u rrëzua më pak se një minutë pasi u ngrit nga aeroporti i Ahmedabadit në orën 13:39 sipas kohës lokale.
Pamjet tregojnë se si avioni pati probleme me ngritjen dhe më pas papritmas filloi të binte.
Për shkak të sasisë së madhe të karburantit, shuarja e zjarrit ishte e vështirë.