Tjetërsimi i pronës 7500 metër katrorë, arrestohet ish-kreu i komunës Bërxullë dhe 3 të tjerë

Policia e Tiranës, ka vendosur në pranga ish-kryekomunarin e Bërxullës, Ymer Marku dhe tre persona të tjerë, për tjetërsimi e një prone 7500 metër katrorë në këtë komunë.

Në prangat e policisë ranë edhe dy zyrtarët e tjerë K. B., A. L., si edhe shtetasi K. A., pasi akuzohet se përfituan pronën nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve.

Sakaq, është sekuestruar një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 7, operacioni policor i koduar “Haunting”.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 shtetas.

Sekuestrohet një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit dhe Komisariatin e Policisë Nr. 7, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Haunting”, për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, për shtetasit:

Y. M., 55 vjeç, K. B., 65 vjeç, A. L., 53 vjeç, të tre banues në Vorë, dhe K. A., 60 vjeç, banues në Kombinat.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrën, kanë falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke, në fshatin Bërxullë.

Gjithashtu, në kuadër të operacionit, është sekuestruar një sipërfaqe toke 7500 m2, në fshatin Bërxullë, bashkia Vorë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.