Tjetër kërcënim rus pranë territorit të NATO, ngrihen në fluturim avionët

Avionët luftarakë britanikë dhe gjermanë kanë pikasur për të dytën herë brenda një jave avionë rusë që fluturonin pranë hapësirë ajrore estoneze dhe i kanë shoqëruar ata deri sa u larguan.

Lajmi u dha nga forcat britanike ajrore, të cilat sipas CNN pikasën një avion rus Tu-134 që shoqërohej nga dy avionë luftarakë Sukhoi Su-27 Flanker dhe një mjet ajror transportues AN-12 Cub.

Forcat britanike gjithashtu shtuan se do të qëndrojnë përkrah vendeve aleate të NATO gjatë këtyre kohëve të tensionuara.

Javën e fundit janë shënuar disa incidente në ajër që kanë përshkallëzuar dhe më tej përballjet mes Perëndimit dhe Rusisë.

Avionët rusë u pikasën edhe njëherë pranë kufirit estonez, ndërkohë që një dron amerikan u rrëzua në Detin e Zi pas manovrave të një mjeti fluturues rus./Albeu.com/


Shtuar 18.03.2023 22:37