“Tigrat” e Maqedonisë nuk do të kenë uniforma në shqip! Spasovski: Duhet kohë, emblemat nuk blihen në dyqan

Uniformat policore në shqip do të jenë vetëm për policët që veprojnë në komunat apo qytetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Kështu e shpjegoi “i pari” i policisë, Oliver Spasovski, dekretin e miratuar në Qeveri për uniformat në shqip. Tha se njësitë që veprojnë në nivel shtetëror, nuk do të mbajnë emblemë shqip.

“Bëhet fjalë për emblemat në uniforma në nivel lokal në qytetet ku gjuha zyrtare është gjuha shqipe. Në shërbimet qendrore në nivel shtetëror nuk ka kurrfarë ndryshimi në pjesën e uniformave, respektivisht edhe në njësinë “Tigri” dhe në “Njësinë për sistemim të shpejtë”.

Dhënien e afatit kohorë që brenda 1 viti të zbatohet ky dekret, Spasovski e arsyeton me atë që ka procedura për shpenzimin e parave të buxhetit shtetëror.

“Ka procedurë për shpenzim të parave buxhetore. Nuk mundet të hyni në dyqan dhe të blini diçka menjëherë. Duhet të zbatohen procedura, tenderë, prokurim publik dhe të blihet ajo që duhet të blihet në pjesën e emblemave, prandaj është lënë një hapësirë kohore që të përgatitemi.”

Se sa do të kushtoj në total procesi i furnizimit me emblema shqip, Spasovski tha do se do dihet në fund, kur njësitë rajonale do t’i bëjnë përllogaritjet për zbatim të plotë të procedurës. Pika 3 e nenit 8 të ligjit për përdorimin e gjuhëve parasheh që shqipja të përdoret në uniformat e policisë, ushtrisë, doganierëve, të zjarrfikësve, të shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve janë shqipfolës./TV 21/


Shtuar 18.03.2022 23:45