Testimi PISA-s/ PD: Në arsim, Shqipëria renditet 4 vende më poshtë se Palestina

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, një deklaratë ka komentuar rezultate të ulëta lidhur me arsimin.

“Në këtë vlerësim Shqipëria renditet 4 vende më poshtë se Palestina, – vërejti znj. Sula, – duke pasqyruar gremisjen e thellë të sistemit tonë arsimor, me keq edhe se vende që janë në luftë.

Sipas vlerësimeve të PISA, më shumë se 56 % e nxënësve shqiptarë janë nën nivelin bazë të kompetencës në mendimin krijues, gjë që tregon situatë të rëndë në arsimin shqiptar sot e të aftësive të nxënësve në jetë nesër.

Por, këto të dhëna nuk vijnë të befasishme sot, pasi gjendja mjerane e arsimit tonë është pasqyruar nga testimi ndërkombëtar në dhjetorin e vitit të kaluar për aftësitë e nxënësve në Lexim, Matematikë, Shkencë. Ministria e arsimit, znj. Manastirliu nuk bëri asnjë analizë të situatës dhe nuk krijoi asnjë strategji të mirëfilltë, përveçse nxitoi të sajonte trajnime në ditë pushimi për mësuesit, trajnime vetëm për të bërë foto dhe për të shpërndarë në rrjete sociale imazhe false.

Rrënimi në arsim ka emër dhe quhet ‘Rilindje’! Rezultatet e organizatave ndërkombëtare flasin për zhbërjen dhe madje rrënimin e arsimit. Kjo gjendje është pasojë e Qeverisë Rama që:

braktisi familjen! Varfërimi i familjeve do të reflektohej në edukim!

braktisi mësuesin. Mësuesi ynë është më i keqpaguari në rajon e më gjerë!
⁠braktisi nxënësit! Asnjë program për zhvillimin dhe mbështetjen e arritjeve shkollore!

shkatërroi kurrikulat, të cikat nuk i përgjigjen nevojave dhe interesave tona për edukimin e të rinjve dhe zhvillimin e vendit!

rrënoi drejtimin e çdo njësie, nga shkolla deri tek drejtimi lokal dhe qendror. Politizimi dhe aprofesionalizimi i tyre, zhbëri edhe ato arritje që ishin para vitit 2013!

Rezultati tronditës i nxënësve për aftësitë e të menduarit krijues, që i liston ata në fund të botës, është strategji e errësimit të fëmijëve tanë, strategji e topitjes së trurit dhe mbylljes së syve – për të mos qenë aktive e për të mos menduar ndryshe- është shprehje e degradimit të arsimit që do të thotë e degradimit të shoqërisë dhe mbarë kombit.

Skandalet e njëpasnjëshme të Ministrisë së Arsimit vetëm gjatë këtyre dy muajve, nga udhëzimi nr 8, i 3 majit 2024, Për procedurat e pranimit, pezullimit dhe largimit të mësuesit nga vendi i punës tek dalja e tezave të provimeve të maturës shtetërore, dhe së fundmi tek vlerësimet ndërkombëtare PISA, thërrasin për shprehje publike e marrjen përsipër të përgjegjësive institucionale, të cilat s`kanë të bëjnë me cenim apo moscënim të procesit, por me përmbysje të sistemit, me njohjen e pranimin e dështimit dhe me dorëheqje.
O do të marrim në dorë fatet e vendit dhe fëmijëve, si qytetarë dhe si prindër, o do ta shohim Shqipërinë një vend të zbrazur, pa popullin e vet”, ishte thirrja me të cilën e mbylli deklaratën e saj Lili Sula.


Shtuar 21.06.2024 11:13