Tentuan ta vrisnin në sy të vajzës e gruas, si u zbulua shtëpia “mafioze” e atentatorve të Palucës

Policia e Lezhës ka vënë në pranga 3 shtetas në këtë qytet pas një kontrolli të befasishëm në një apartament në këtë qytet i cili ishte në përdorim nga  Edmir Vlashi.

Shtetasi në fjalë akuzohet për atentatin e ndodhur muaj më parë në Kamëz në Tiranë, ndaj çiftit Preng e Antoneta Paluca, atentat i cili përfundoi me dy të plagosur dhe fatmirësisht me asnjë viktimë.

Policia lezhjane bën me dije se në apartamentin në fjalë janë gjetur armë zjarr, mina me telekomandë, municion luftarak dhe shumë parash. Gjithashtu në pranga janë vënë shtetasit Nikoll e Marie Marku dhe Mark Lamkja, ndërsa në kërkim vazhdon të jetë Edmir Vlashi dhe Hektor Ndoka.

Arma e zjarrit e sekuestruar në këtë banesë është dërguar në laborator pasi dyshohet se është përdorur për ngjarje kriminale.

NJOFTIMI I POLICISË:

Vijon operacioni “Mataro”. Si rezultat i hetimeve të thelluara, Policia zbulon një apartament në përdorim nga shtetasi E. V. Gjatë kontrollit të apartamentit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armë zjarri pistoletë, leje drejtimi dhe dokumente të tjera të lëshuara nga një shtet tjetër.

Shërbimet e Policisë Lezhë kanë vijuar punën intensive për dokumentimin e plotë e veprimtarisë kriminale të shtetasve E. V. dhe M. N. të cilët janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Mataro”.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore është zbuluar një apartament që ishte në përdorim nga shtetasi E.V. Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në këtë apartament gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, disa mjete identifikimi dhe leje drejtimi të lëshuara nga një shtet tjetër.

Gjatë operacionit “Mataro” u vunë në pranga 3 shtetas, u shpallën në kërkim shtetasit E. V. dhe M. N., si dhe u sekuestruan arsenal me armë, municion, mina me telekomandë, një sasi e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

ATENTATI NDAJ ÇIFTIT PALUCA:

Atentati ndaj çiftit  Preng e Antoneta Paluca ndodhi në derën e shtëpisë së tyre në rrugën “Kosova” në Kamëz.

Kamerat e vendosura në katin e dytë të objektit pesë katësh ku jeton familja Paluca, kanë filmuar gjithë dinamikën e ngjarjes së ndodhur rreth orës 22:05, të datës 07 gusht, 2021.

Kanë qenë dy persona në një autoveturë me xhama të errët që kanë ndjekur makinën me të cilën po lëvizte çifti.

Ata po ktheheshin nga qyteti i Kamzës ku morën në makinë për ta dërguar në banesë edhe të bijën e mitur vetëm 15 vjeçe, e cila fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime, ndërsa është bërë dëshmitare e ngjarjes së rëndë pasi ndodhej brenda mjetit të babait të saj.

Sapo Preng Paluca ka hapur derën e makinës, njëri prej autorëve, i ka vënë dorën te xhami i mjetit, ka nxjerrë armën e zjarrit tip pistoletë me silensiator. Aty ka ndeshur në rezistencën e 50-vjeçarit i cili është përpjekur ti largojë armën nga duart.

Në këto momente konfrontimi, arma ështe shkrepur vetëm një herë, ku predha e ka kapur Prengën fillimisht në dorën e majtë, i ka përshkruar në brinjë po në të majtën, duke deportuar brenda organeve të brendshme të trupit.

E njëjta predhë që ka përshkruar trupin e 50 vjeçarit, ka kapur në këmbë edhe të shoqen Antonetën, e cila ka pësuar vetëm një gërvishtje, ndërsa e bija e cila ndodhej në sediljen e pasme, përveç përballjes me situatën dramatike, fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.

Dyshohej se njëri prej autorëve ka qenë vetëm në rolin e drejtuesit të mjetit, ndërsa tjetri në atë të ekzekutorit.

Ata kishin vendosur në kokë, maska plastike të ngjashme me lëkurën e trupit të njeriut dhe që shpesh grabitësit profesionist i përdorin në vjedhjen e bankave.

Për këtë ka dyshime që ata të kenë qenë vrasës profesionist dhe të paguar, ndërsa janë treguar të kujdesshëm duke marrë nga vendngjarja edhe predhën e nxjerrë nga arma e krimit. Pas atentatit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. /albeu.com/

 

 

 


Shtuar 13.12.2021 09:21