Gjykata e Sarandës ka dënuar me 12 vite burg ish-mësuesin e fshatin Kopacez të Delvinës, Kadri Nora.
74-vjecari Nora është dënuar me 10 vite burg për “vrasje me dashje mbetur në tentativë” dhe 5 vite burg për “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, por në bashkim të dënimeve u dënua në total me 12 vite burgim. Vendimi është dhënë në 7 korrik nga gjyqtari Shkelzen Licaj.
Ne 20 janar 2020, Nora plagosi me arme zjarri Martin Deden, atehere 48-vjec, pikërisht ditën kur ky i fundit do te shpërngulej familjarisht nga fshati Kopacez. Deda mori vetëm një plumb ne këmbe, duke i shpëtuar atentatit. Pas kësaj ngjarje Kadri Nora është vetë dorëzuar në polici, duke çuar tek blutë e Sarandës edhe armën e krimit, automatik model 66 e kalibrit 7.62 mm.
Autorit dhe i plagosuri kanë pasur vazhdimisht konflikte, pas vrasjes se djalit të Kadri Norës, një krim që ngeli i pazbardhur.
35-vjeçari Enkeled Nora, që punonte si bari, u gjet i plagosur në këmbë me pistoletë në 8 shtator të 2015, në vendin e quajtur Pigadhë të fshatit Kopaçëz. Ai u transportua rreth 1 kilometër drejt një stani ku iu dha ndihma e parë, por nuk i mbijetoi plagëve të marra e ndërroi jete.
Policia deklaroi atëherë se nuk gjeti as gëzhoja dhe as armë zjarri në vendngjarje e krimi ngeli i pazbardhur, ndërsa nuk u saktësua kurrë nëse bëhej fjalë për një vrasje apo vetëvrasje. Ngjarja u dyshua se vinte për shkak të konfliktit për parcelat me kanabis, te cilat lulëzonin në atë kohë në vendin e njohur si Pigadhe, ku edhe u gjet i plagosur Enkeled Nora.
Babai i viktimës, Kadri Nora vazhdimisht akuzonte për krimin Martin Doden, i cili kishte mbërritur në fshatin Kopaçëz prej disa vitesh e ku punonte edhe ai si bari, në të njëjtën zonë.
Nora, ish-mësues në fshatin Kopaçëz, kishte mësuar faktin se Martin Doda po synonte të largohej bashke me familjen nga ky fshat e në këto kushte, ka vendosur të bëjë vetëgjyqësi për vrasjen e të birit.
Furgoni i Martin Dodës ishte i ngarkuar me teshat dhe plaçkat e familjes që mesa duket kishin në plan të riktheheshin në Mirditë.