Tensionet në veri të Kosovës, shihen gëzhoja plumbash në Zveçan (FOTO LAJM)

Plumba janë shkrepur në Zveçan, derisa Njësia Speciale e Policisë së Kosovës po largohej prej aty, ku shkuan në kuadër të aksionit kundër kontrabandës.

Rruga pranë “Komova kafana” është e bllokuar, ndërsa raportohet se Policia e Kosovës u largua prej aty në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar.

Tymi është parë në drejtim të një pompe pranë një ure. Radio Kontakt Plus ka publikuar një fotografi ku shihen predha të municionit në rrugë.

Pasi përfunduan punë në një situatë jashtëzakonisht të tensionuar, Policia e Kosovës i tërhoqi autoblindat nga Mitrovica e veriut për ta vazhduar aksionin kundër kontrabandës në Zubin Potok dhe Zveçan.

Qytetarë serbë, ashtu si në Mitrovicën e veriut, janë mbledhur në qendër të Zubin Potokut.

Më herët, automjete të blinduara të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës hynë në pjesën veriore të Mitrovicës. Qytetarët e mbledhur serbë hodhën gurë, ndërsa Policia u kundërpërgjigj me bombola gazi.

Serbët po ashtu i sulmuan edhe fizikisht disa prej policëve në hyrje të një prej barnatoreve në veri.

Në Mitrovicën e veriut, janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët, raporton T7 nga vendi i ngjarjes.

Gjatë aksionit në Mitrovicën e veriut, nga tensionimi i situatës, dëme materiale iu shkaktuan disa automjeteve civile të parkuara aty pranë.

Sipas institucioneve të rendit, aksioni ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm. Policia ka njoftuar se deri më tani janë sekuestruar një sërë mallrash, të cilat dyshohen të janë të kontrabanduara./Gazeta Express