Këtë të enjte, mazhoranca me shumicë kartonësh rrëzoi kërkesën e SPAK, për heqjen e imunitetit të ish-zv/kryeministres së shkarkuar Belinda Balluku, opozita protestoi edhe brenda Kuvendit.
Fillimisht me akuza ndaj shumicës socialiste, e më tej me pankarta për dorëheqje të qeverisë dhe goditje të tavolinave.
Ndërsa kërkesa dhe raporti i opozitës u rrëzuan me 82 vota të PS, ku 7 deputetë mungonin dhe 47 vota pro të opozitës, kryeparlamentari Niko Peleshi e kaloi seancën në rendet e ditës, por opozita vijoi të protestonte dhe më tej zuri foltoren të rrethuar edhe nga punonjësit e Gardës.

Një pjesë e deputetëve godisnin tavolinat, të tjerët, me në krye kreun e PD, Sali Berisha, dolën në podiumin e foltores duke protestuar dhe hedhur akuza ndaj qeverisë dhe socialistëve.

Mazhoranca në këto rrethana kaloi në procedurë dhe votim të përshpejtuar të çështjeve të rendit të ditës, edhe sipas kërkesës së kreut të grupit të PS, Taulant Balla.
Votimet u shoqëruan gjithashtu me tensione, thirrje dhe goditje tavolinash.

Pasi përfundoi procesi i votimit, Peleshi deklaroi edhe mbylljen e seancës plenare.
SPAK akuzon Ballukun për abuzime me detyrën, 11 tendera me vlerë mbi 1 mld euro, teksa rrezikon një marzh dënimi deri në 35 vite burgim.
