Temperaturat në vendin tonë këtë javë do të kalojnë 40 gradë Celsius. Ministria e Mbrojtjes përveç apelit që iu ka bërë qytetarëve të tregojnë kujdes nga i nxehti, u ka bërë thirrje edhe strukturave, që të qëndrojnë gati në rast situatash emergjente, siç mund të jenë zjarret.
“Duke vlerësuar situatën e shkaktuar nga zjarret në vëndin tonë gjatë muajit korrik kemi pasur një rritje të ndjeshme në numër të zjarreve, kjo si pasojë e thatësirës së krijuar nga kushtet e motit e cila ka favorizuar marrjen e përmasave të zjarreve dhe zgjatjen e tyre në kohë.
Të gjitha kapacitetet dhe strukturat e emergjencave civile kanë punuar për normalizimin e tyre dhe janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente të mundshme. Aktualisht është aktive një vatër zjarri në pyllin e Krastës, Bashkia Krujë e cila është vënë nën kontroll nga forcat operacionale të cilat po punojnë për shuarjen e tij.
Sipas informacioneve të marra nga IGJEUM mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, temperaturat në vëndin tonë do të jenë relativisht të larta deri në 41°C. Kërkohet nga strukturat e mbrojtjes civile të vijojnë të jenë në gatishmërinë të plotë për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri.
Ndërkohë iu bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm në zonat ku paraqitet rrezik më i lartë, gjithashtu të gjithë ata që shkaktojnë situata të tilla nga pakujdesia apo të qëllimshme do të vihen përpara përgjegjësisë penale.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri për menaxhimin e çdo situate emergjente që mund të përballemi gjatë këtyre ditëve të nxehta”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes./albeu.com