Avokati i Popullit, Endri Shabani, ishte të premten në Vlorë, ku bëri prezantimin e Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit për vitin 2025. Në prononcimin për mediat, ai sqaroi se prania e institucionit në këtë qytet ka për qëllim të dëgjojë shqetësimet dhe kërkesat e banorëve.
Sipas Shabanit, shumica e problematikave të ngritura në Vlorë lidhen me pronat dhe mënyrën se si ato administrohen. Ai tha se ankesat e qytetarëve kanë të bëjnë kryesisht me Kadastrën dhe nënvizoi se Avokati i Popullit do të verifikojë çdo rast që lidhet me shpërdorim detyre, tjetërsim pronash dhe pretendimet e paraqitura nga qytetarët.
Të lidhura
None found
Shabani kujtoi se roli i Avokatit të Popullit është mbrojtja e të drejtave të qytetarëve dhe shërbimi si ndërmjetës për zgjidhjen e ankesave e kërkesave të tyre.
I pyetur nga gazetarët, ai u shpreh se Avokati i Popullit nuk mund të mbajë një qëndrim mbi kërkesat e protestuesve. Sipas tij, detyra e institucionit është të evidentojë rastet kur cenohet e drejta e qytetarëve ose kur institucionet, përfshirë Policinë e Shtetit, nuk i përmbushin si duhet përgjegjësitë e tyre.
Sa u përket komenteve negative të lëna në profilet e bizneseve në vend, Endri Shabani tha se nuk disponon informacion të mjaftueshëm, por nëse preket e drejta e shprehjes së lirë të qytetarëve, do të hapet një hetim për rastin dhe do të ketë një reagim zyrtar.
Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2025 u prezantua në Vlorë në praninë e përfaqësuesve më të lartë të pushtetit lokal, si edhe të qytetarëve.
