Një aksion i koordinuar mes Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Europol ka përfunduar me arrestimin e 18 personave, të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës që shtrihej në Amerikën e Jugut dhe në Evropë.
Të lidhura
None found
Sipas autoriteteve të Ekuadorit, operacioni me emrin e koduar “Gran Fénix 0043-Azkaban”, i kryer më 8 korrik, goditi një organizatë që dyshohet se kishte trafikuar afërsisht 7.5 tonë kokainë, me një vlerë të llogaritur prej 225 milionë dollarësh në tregun e paligjshëm.
Mes personave të arrestuar ndodhet edhe shtetasi shqiptar P. D., për të cilin autoritetet pretendojnë se kishte rolin e koordinatorit dhe përfaqësuesit të organizatave kriminale evropiane në Ekuador.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se luante rolin e ndërmjetësit mes grupeve kriminale të Amerikës së Jugut dhe rrjeteve të trafikut në Evropë, duke organizuar dërgesat e kokainës.
Në pranga ra gjithashtu edhe shtetasi polak Jakimec Tomasz, për të cilin ishte shpallur më parë një njoftim i kuq nga Interpol. Autoritetet thonë se ai dyshohet të ketë krijuar kompani fasadë, të përdorura për të kamufluar ngarkesat e drogës që transportoheshin në rrugë detare.
Sipas hetimeve, kjo organizatë kishte qenë aktive të paktën që prej vitit 2019 dhe kishte ndërtuar lidhje me grupe të armatosura në Kolumbi, si edhe me organizata kriminale në Ekuador. Autoritetet bëjnë të ditur se kokaina lëvizte nga zonat kufitare drejt provincave Esmeraldas, Guayas, Azuay dhe El Oro, ku më pas përgatitej për t’u nisur drejt Evropës.
Lënda narkotike fshihej brenda kontejnerëve me mallra të ligjshme, përfshirë banane, kafe, produkte deti dhe dru. Sipas dyshimeve, ngarkesat kishin si destinacione Holandën, Belgjikën, Gjermaninë, Italinë, Danimarkën dhe Poloninë.
Gjatë operacionit u vunë në pranga edhe 16 shtetas ekuadorianë, të dyshuar se kishin role në transportimin, magazinimin dhe mbrojtjen e aktivitetit të kësaj organizate.
Autoritetet sekuestruan telefona celularë dhe pajisje elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve. Të arrestuarit janë vënë të gjithë në dispozicion të drejtësisë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë dhe për të zbardhur plotësisht aktivitetin e rrjetit kriminal.
