“Të gjithë e kishin frikë” Çfarë duhet të dini për Eskon, mafiozi shqiptar që bëri kërdinë në Athinë

Esmin Ferhati ose ndryshe Esko është 30-vjeçari shqiptar që ka kryer një sërë krimesh në Athinë, grabitje, rrëmbime dhe trafikimi të lëndëve narkotike.

Esko u arrestua nga policia greke mëngjesin e 27 shtatorit, bashkë me 31 persona të tjerë. Sipas medieve greke Esko është koka e tre bandave shqiptare që operonin në kampusin universitar në Zografou.

Sipas raportimeve greke, Esko është person i njohur për policinë, pasi ndaj tij ka katër urdhër arreste. Ndër të tjera, Esko ka lidhje të forta me grupe huliganësh, të cilët janë arrestuar disa herë, pasi janë përfshirë në konflikte të dhunshme, duke shkatërruar prona publike.

Kryegangsteri Esko, siç e cilësojnë mediet greke, qarkullonte gjithmonë i shoqëruar nga eskorta e tij, një grup personash shqiptarë dhe grekë që e ruanin Eskon si sytë e ballit, pasi ky i fundit i frikësohej arrestimit.

Bandat e Eskos nuk kanë ngurruar asnjë sekondë të rrahin dhe të kërcënojnë me armë punëtorët në supermarket dhe kioska për t’u zhvatur disa qindra euro, ndërsa Esko nuk ka marrë pjesë në këto “operacione”, ai vetëm ka drejtuar anëtarët, duke pasur rolin e kryegangsterit që të gjithë i frikësoheshin dhe i bindeshin pa asnjë kundërshtim.

Banditët e Eskos përballen me 6 akuza: Organizata Kriminale; Grabitje; Trafik droge; Lëndim i rrezikshëm trupor; Rezistenca ndaj autoritetit; Mosbindje.


Shtuar 30.09.2022 09:13