Të gjitha të panjohurat e “luftës së grurit”

Nga Marta Dassù “La Reppublica

Luftës nëpërmjet naftës dhe gazit, po i shtohet së fundmi edhe lufta e bukës, e cila do të ketë pasoja globale, dhe që po e shtrin hijen e konfliktit ukrainas deri në Bosfor. Bllokada detare e Moskës në Detin e Zi po sjell kalbjen në hambarët e Odesës të miliona tonëve drithë.

Kjo është forma më e fundit e një konfrontimi gjeopolitik, i cili po ndikon jo vetëm mbi fatin e Ukrainës, por që ka të bëjë edhe me sigurinë ushqimore të vendeve të Mesdheut dhe Afrikës së Veriut, tashmë të testuara rëndë nga pandemia, muajt e thatësirës dhe çmimet në rritje.

Siç dihet tashmë, Rusia dhe Ukraina përfaqësojnë së bashku rreth 1/3 e volumit të tregtisë globale të grurit. Vendet mesdhetare dhe ato afrikane, duke përfshirë lojtarë të rëndësishëm strategjikë për Italinë si Libia dhe Egjipti, mbulojnë 75 për qind të nevojave të tyre ushqimore me importet që marrin nga Kievi.

Dhe aktualisht nuk ka shumë alternativa, në një kohë kur prodhuesit e mëdhenj bujqësorë, si India, po i reduktojnë eksportet për të përballuar problemet e të korrave që lidhen me ndryshimin e klimës. Pra jemi përballë një “stuhie të përsosur, e cila sikurse paralajmëron Programi Botëror i Ushqimit në OKB, po përgatitet të shkaktojë një emergjencë ushqimore globale.

Uria do të jetë një problem serioz për dhjetëra miliona njerëz, që vuajnë aktualisht nga nivele tronditëse të kequshqyerjes. Për Rusinë, goditja e “hambarit të botës”, Ukrainës, do të thotë të shkatërrosh burimet dhe moralin e saj: Kievi po nis të kujtojë urinë e madhe (Holodomor) të shkaktuar nga politikat e Stalinit në vitet 1930.

Por duke përdorur grurin si një armë të strategjisë së saj neo-perandorake, Rusia po merr gjithashtu përgjegjësinë e shkaktimit të një krize ushqimore që tashmë ka nisur të vërehet në Evropën Jugore. Italia, siç e tregon edhe precedenti i vitit 2011, do të preket drejtpërdrejt nga kjo krizë.

A është e mundur një ndërhyrje ndërkombëtare për të shmangur katastrofën? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, është mirë të analizojmë se çfarë është aktualisht në lojë për Moskën, e cila po përpiqet të kompensojë vështirësitë e luftës tokësore, me kontrollin e porteve të Detit Azov dhe Detit të Zi.

Dështimet e mëdha në luftën tokësore, Rusia po përpiqet t’i ri-balancojë përmes luftës detare. Ndërsa në territoret e pushtuara tashmë, ushtarët e Moskës po shkatërrojnë ose vjedhin grurin ukrainas – duke ua dhënë pjesërisht aleatit në Siri, Bashar Al-Assad – bllokada ruse e Odesës, bëhet një “homologe” e sanksioneve perëndimore.

Teza e Moskës është kjo: derisa të hiqen ato, anijet ruse nuk do të lejojnë eksportin e asnjë sasie gruri nga portet e Ukrainës. Prandaj, gjetja e një zgjidhjeje të bashkërenduar me Moskën duket shumë e vështirë. Por në këtë formë, ajo është një zgjidhje e imponuar.

Para së gjithash, ujërat përreth porteve të Detit të Zi janë minuar nga Kievi për të parandaluar një zbarkim të mundshëm të marinës ruse. Dhe një thënie e vjetër ushtarake shpjegon se vendosja e një mine në det është shumë më e lehtë, sesa heqja e saj prej andej.

Admirali amerikan James Stavridis propozon nisjen e një operacioni të NATO-s për të shoqëruar përtej Bosforit 80 anijet tregtare të bllokuara në portet e Ukrainës. Për këtë situatë ekziston një precedent: misionit përmes të cilit marina e SHBA-së mbrojti cisternat e naftës në Gjirin Persik në vitet 1987-1988 gjatë luftës midis Irakut dhe Iranit.

Por një ndërhyrje e NATO-s në Detin e Zi do të tingëllonte si një provokim i drejtpërdrejtë kundër Moskës, e njëjtë apo më e keqe sesa ideja e shumë-debatuar e krijimit të një “zone të ndalim-fluturimit” mbi Ukrainë. Shtetet e Bashkuara po lëvizin në mënyrë indirekte, duke u dhënë ukrainasve armë shtesë për të çarë bllokadën e Moskës.

Kështu, pas fundosjes së anijes luftarake ruse “Moskva”, Pentagoni ka vendosur të dërgojë në Ukrainë raketa të reja kundër anijeve. Londra po bën të njëjtën gjë. Një zgjidhje alternative kalon përmes rrugëve tokësore: krijimin e një korridori që e transporton grurin ukrainas në kufijtë e Rumanisë, drejt portit të Konstancës apo drejt Balltikut.

Mund të funksionojë pjesërisht, por nuk mund të shmangen rreziqet që lidhen me bombardimet ruse ndaj infrastrukturës së transportit, dhe kjo lëvizje është kaq e vonuar sa që katastrofa ushqimore nuk mund të shmanget.

Në teori, hapja e një korridori detar për eksportin e grurit, do të kërkonte plotësimin e 3 kushteve: qeveria e Kievit duhet të pranojë çminimin e zonës, dhe të “ftojë” një mision ndërkombëtar në ujërat e saj territoriale; që Turqia, duke përdorur Konventën e Montrosë

të vitit 1936, ta mbyllë qasjen në Detin e Zi për të gjitha anijet ushtarake – dhe që një koalicion vendesh, duke përfshirë vendet evropiane me aftësi detare, të ndërtojnë një mision ndërkombëtar sigurie humanitare për të shoqëruar anijet tregtare.

Në shpresojmë në mbështetjen politike të vendeve jugore më të prekura nga kriza ushqimore. Moska duhet të vendosë se si të përgjigjet ndaj kësaj oferte, duke balancuar urgjencën globale të urisë me objektivat e saj të luftës në Ukrainë.

Për Kremlinin, kontrolli i Odesës, nënkupton privimin e Ukrainës nga qasja në det, duke e reduktuar atë në një shtet shumë të dobësuar. Por duke bllokuar atë port, të cilin tregimet e Babel e kanë bërë të pavdekshëm, Rusia rrezikon gjithashtu që të humbasë veten dhe atë pak gjë që ka mbetur nga imazhi i saj ndërkombëtar.


Shtuar 24.05.2022 12:20