Ina Zhupa, kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, komision përgjegjës dhe për sportet dhe për mediat ka uruar fillimin e kampionatit shqiptar të futbollit dhe ka ngritur disa pikëpyetje në lidhje me të drejtat televizive që ka fituar RTSH për transmetimin e këtij eventi sportiv.
Behet fjalë për një shumë rreth 1.2 milion euro në vit sipas të dhënave paraprake dhe nuk dihet se si u arrit në këtë shumë, nëse është parashikim buxhetor i RTSH apo siç flitet për një huamarrje nga qeveria.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zhupa ka kërkuar që të bëhet transparencë para publikut.
“Pavarësisht që e konsideroj lajm të mirë marrjen e të drejtave televizive nga RTSH, si televizioni i cili mbahet me paratë e taksave të shqiptarëve, është e domosdoshme të bëhet transparencë dhe të sqarohen disa pikëpyetje në lidhje me procesin e ndjekur dhe kostot që thuhet janë 1.2 milion euro për çdo vit (kontrata 3 vjeçare)”, shkruan ajo.
Zhupa ka listuar 8 pyetje për të bërë transparencë para publikut.
“Disa pikëpyetje që vijnë nga mungesa e tranparencës dhe mënyra antiligjore e funksionit të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH Alfred Peza. A është diskutuar në Këshilli Drejtues i RTSH si e kërkon ligji përpara se kjo ofertë të behej në FSHF? – A kanë qenë blerja e këtyre të drejtave pjesë e planit strategjik, sipas pikës 7, të nenit 102 të ligjit 97/2013?. Në lidhje me shumën, thuhet se do të paguhen 1.2 milion euro çdo vit, për një periudhë 3 vjeçare. Cila është shuma e saktë dhe si u arrit te kjo shumë si propozim? A ka qenë pjesë blerja e këtyre të drejtave te buxheti i miratuar nga KDRTSH për vitin 2024 sipas pikës 16 të nenit 102 të ligjit 97/2013? Nëse përputhet me parashikimet buxhetore, atëherë pse RTSH po kërkon hua shtesë nga qeveria në lidhje me këtë shpenzim?”, shkruan ajo.