Të dërguarit amerikanë përgatiten të takohen me zyrtarë të Kievit, Trump: Rruga drejt paqes në Ukrainë e paqartë!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump, ka deklaruar se rruga përpara për bisedimet e paqes në Ukrainë është e paqartë.

Duke folur me gazetarët në Zyrën Ovale të mërkurën, Trump tha se Putin do të donte të arrinte një marrëveshje, por se çfarë do të dalë nga ai takim nuk mund të thoshte sepse “duhen dy veta për të kërcyer tango”.

Kremlini tha të mërkurën se Putini pranoi disa propozime të SHBA-së që synonin t’i jepnin fund luftës në Ukrainë dhe ishte i përgatitur të vazhdonte punën për të gjetur një kompromis, por se “kompromiset nuk janë gjetur ende”.

Të dyja palët ranë dakord të mos e zbulojnë përmbajtjen e diskutimit të tyre në Kremlin, por të paktën një pengesë e madhe për një zgjidhje mbetet; fati i katër rajoneve ukrainase që Rusia i ka pushtuar pjesërisht.

Një zyrtar rus u tha gazetarëve se deri më tani, nuk është gjetur një kompromis për çështjen e territorit, pa të cilin Kremlini nuk sheh zgjidhje për krizën.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga territori që Rusia ka pushtuar dhe të mërkurën tha se ekipi i tij po përgatitej për takime në Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se dialogu me përfaqësuesit e Trump do të vazhdojë.

Vetëm duke marrë parasysh interesat e Ukrainës është e mundur një paqe dinjitoze”, tha ai.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, mbajti një qëndrim më të ashpër, duke i kërkuar Putinit të “ndalojë së humburi kohën e botës”.


Shtuar 4.12.2025 08:24