Taulant Xhaka, emër i njohur për kontributin e tij në mesfushën e Kombëtares shqiptare, veçanërisht në sfidën ndaj Serbisë në tetorin e vitit 2014, ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale një hap të ri në karrierën e tij.
Ish-lojtari kuqezi ka njoftuar se ka përfunduar me sukses dhe ka marrë licencën e trajnerit në kategorinë UEFA A, duke e konsideruar këtë si një moment me rëndësi të veçantë në rrugëtimin e tij profesional.
Të lidhura
None found
Në reagimin e publikuar, Xhaka shpreh kënaqësinë për këtë arritje dhe e sheh atë si një mundësi me perspektivë për t’u zhvilluar më tej në futboll, tashmë në një rol tjetër.
Ai ka vlerësuar gjithashtu ndihmën e profesorëve që e shoqëruan gjatë këtij procesi, duke përmendur Alban Tafaj, Sulejman Starovën dhe Ardi Beharin për njohuritë dhe mbështetjen e dhënë.
Sipas Xhakës, motivimi për të vijuar të japë kontribut në futboll mbetet maksimal, ndërsa ky rol i ri i sjell përgjegjësi të tjera dhe pritshmëri për rezultate.
POSTIMI:
“Me shumë krenari dhe kënaqësi ndaj me ju lajmin se kam përfunduar me sukses Licencën UEFA A. Ky është një moment shumë i rëndësishëm në rrugëtimin tim si trajner dhe rezultat i punës, përkushtimit dhe dëshirës për t’u zhvilluar vazhdimisht.
Një falënderim i veçantë shkon për profesorët e mi Alban Tafaj, Sulejman Starova dhe Ardi Behari, për mbështetjen, profesionalizmin dhe njohuritë e vlefshme që na kanë përcjellë gjatë këtij rrugëtimi.
Falënderoj gjithashtu Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për organizimin e shkëlqyer dhe mundësinë që na dha për t’u zhvilluar në nivelin më të lartë.
Jam krenar për këtë arritje dhe i motivuar të vazhdoj të jap maksimumin tim në futboll.”
