E pësuam 4-1, si e sheh FSHF humbjen me Poloninë: Të mirë, por të pafat

Shqipëria u mposht me rezultatin 4-1 në përballjen ndaj Polonisë të vlefshme për eliminatoret e Botërorit. Pavarësisht se rezultati la për të dëshiruar, FSHF, e ka cilësuar si dinjitoze disfatën ndaj polakëve.

Nëpër një shkrimi të postuar në faqen zyrtare, organi më i lartë i futbollit në vend, e ka vlerësuar si provë pozitive, humbjen 4-1. Sipas FSHF thjesht kemi qenë pa fat, pasi loja ka qenë mjaft e mirë.

SHKRIMI I FSHF-së NË FAQEN ZYRTARE:

Kombëtarja shqiptare zhvilloi këtë të enjte ndeshjen e katërt ndaj Polonisë në transfertë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Ndeshja që u zhvillua në stadiumin “PGE Ë”, përfundoi në favor të vendasve, që nuk kishin humbur në Varshavë prej 7 vitesh.

Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë, por ishin të pafat, duke u mundur me rezultatin final 4-1. Fillimisht ishin polakët ata që kaluan në avantazh me Levandovskin në minutën e 12-të, pas një goditjeje me kokë. Por, kuqezinjtë morën në kontroll lojën, me Gjasulën që tenton me një gjuajtje me kokë në minutën e 19-të, pas një harkimi të Gjimshitit, por topi përfundon jashtë zone. Në minutën e 25-të, djemtë e Rejës barazojnë rezultatin me anë të një super goli të shënuar nga bomberi Sokol Cikalleshi, i cili mori një top brenda zonës, pas asistit të Gjasulës, u kthye dhe goditi topin drejt e në rrjetën kundërshtare, duke mundur portierin polak.

Skuadra e drejtuar nga tekniku Reja tregon personalitet dhe lojë të mirë, duke krijuar raste dhe duke vendosur në vështirësi skuadrën polake. Në minutën e 32-të të takimit, Rey Manaj godet brenda zonës, por topi u ndal nga portieri polak, i cili e grushtoi dhe e nxorri jashtë zone, duke i mohuar golin e avantazhit kuqezinjve. 8 minuta më vonë, është sërish Manaj ai i cili provon të kalojë në epërsi Shqipërinë, por portieri polak pret sërish. Të pafat kuqezinjtë, të cilët u ndëshkuan në minutën e 44-t, me autor të golit Buksën. Pjesa e parë e lojës mbyllet me rezultatin 2-1.

Në fraksionin e dytë të lojës, kuqezinjtë tregohen më të etur për gol, me mbrojtësin Gjimshiti i cili provon të godasë, por topi përfundon jashtë kuadratit. Krishoviak shënon golin e tretë për vendasit në minutën e 54-t, i cili shënon pas një asisti të dhënë nga Levandovski.

Në minutën e 65-të, arbitri nuk akordon një penallti për kuqezinjtë, me Rey Manaj që pengohet brenda zonës. Manaj ndëshkohet me karton të verdhë, duke humbur ndeshjen e radhës ndaj Hungarisë, për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve. Tekniku kuqezi vendos të freskojë mesfushën dhe sulmin në minutën e 67-t, duke nxjerrë nga loja Trashin dhe Manaj dhe duke futur në fushë Roshin dhe Balaj, ndërsa 7 minuta më vonë, del nga loja Abrashi dhe në vend të tij futet Çekiçi. Reja bën zëvendësimin e fundit në minutën e 83-të, ku del nga loja Cikalleshi e vendin e tij e zë Uzuni.

Polakët shënojnë edhe golin e katërt me Linetin, i cili vulos rezultatin e kësaj sfide. Nuk mjaftoi loja e bukur e dhuruar nga kuqezinjtë, të cilët bënë një paraqitje mjaft të mirë në Varshavë.

Trajneri Reja hodhi në fushë këtë formacion: Berisha, Gjimshiti, Kumbulla, Ismajli, Abrashi (Çekiçi), Bare, Gjasula, Hysaj, Trashi (Roshi), Manaj (Balaj), Cikalleshi (Uzuni).


Shtuar 3.09.2021 13:59