Në takimet me pensionistët ku ndahen pikëpamje për skemën e pensioneve, në fjalën e tij ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, u shpreh se politikat e gabuara të së shkuarës kanë ndikuar në problemet me të cilat përballet sot skema e pensioneve.
Gjithashtu, Gonxhe u shpreh se është deklarimi i plotë i pagave ai që do të ndikojë në skemën e pensioneve.
“Prioritet numër 1 për ministrinë që unë drejtoj prej pak muajsh dhe për qeverinë, pensionet. Thelbi nuk është sfida që përballemi sot me skemën e pensioneve por mjafton t’i kthehemi kohës para 2013, për të kuptuar pasojat e politikave të gabuara në të ardhmen.
Nga një anë nuk lejonte një pension mbi 24 mijë lekë, çfarëdo që të bëje në jetë, dhe nga ana tjetër të kapte tavani që llogaritje bëhej me një formulë specifike. Kjo politike dëmtoi shumë qytetarë dhe sot e kësaj dite vuajnë pasojat e kësaj dritëshkurtësie, ka bërë një dëm më të madh që është nxitja e nën deklarimit dhe fiktivitetit dhe krijimi i një grope në skemën e pensioneve.
Në çdo gjë që bëjmë duhet të jemi të kujdesshëm sepse ndikojmë brezat.
Fokus kemi pagat si baza e asaj që afekton pensionet. Paga e deklaruar 100 përqind dhe një marrëveshje e ligjshme e punëdhënësit dhe punëmarrësit. Kjo çon në rritjen e kontributeve dhe afekton pensionet.
Deficiti është ulur vitet e fundit, por duhet ulur më shumë në mënyrë që të ndërhyjmë”, u shpreh Gonxhe.