Tabaku: Lefter Koka s’ka operuar vetëm, Rama mblodhi grupin e PS te gropa e korrupsionit

Pas arrestimit të Lefter Kokës lidhur me skenën abuzive të inceneratorit të Elbasanit, SPAK ka vijuar hetimet për të paktën 15 persona të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë, për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.

E ftuar në “Radarin Informativ” në Abc me Jonida Shehun, nënkryetarja PD Jorida Tabaku tha se historia me inceneratorin e Elbasanit nuk është përfunduar çdo gjë vetëm me arrestimin e Kokës, por theksoi se do të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë.

“Komisioni hetimor është krijuar që ta shtyjë përpara këtë hetim për ta ndihmuar SPAK dhe jo për ta penguar atë. Fakti që ishim duke investiguar unë besoj se e ka shtyrë SPAK që të përshpejtonte procesin e hetimit. Koka është vetëm fillimi, me inceneratorin e Elbasanit nuk është përfunduar çdo gjë vetëm me Kokën. Unë përmenda 3 ministra 3 kryetarë bashkie dhe kryeministrin, se përcaktoj unë kë arreston SPAK, unë shpresoj që ky të jetë vetëm fillimi dhe jo përfundimi”, tha Tabaku.

Komisioni Hetimor për Inceneratorët, Tabaku tha se ka shtyrë përpara hetimin e SPAK dhe nuk e ka penguar. Madje ajo foli dhe për debatin me socialistët gjatë punës në këtë komision.

“Ne kemi një komision hetimor që vazhdon punën, komisioni për inceneratorët që do vazhdojë punën në javët në vijim. Jam në një debat shumë të ashpër me kolegët socialistë për kthimin e përgjigjes, i kemi kërkuar kompanisë së incenerimit të na vërë listën e të gjithë kontraktorëve dhe se ka bërë këtë gjë. Së dyti i kemi kërkuar informacion të gjithë sektorit bankar për pagesa konkrete që kanë ndodhur ndaj individëve të përfshirë”, shtoi nënkryetarja e PD.

Ajo artikuloi sërish akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, i cili sipas saj një javë më parë ka mbrojtur inceneratorët.
“Rama para një jave ka qenë duke i dalë zot aferës së inceneratorëve, ka sulmuar këdo që ka folur për të. Në momentin që mbledh grupin parlamentar te gropa e korrupsionit unë nuk besoj se Lefter Koka ka operuar i vetëm. Inceneratori i Elbasanit s’i mbetet pasuri publike bashkisë, ska falur asgjë inceneratori përkundrazi ka vjedhur. Dua të citoj raporton e progresit i cili thoshte se incenerimi i mbetjeve s’është një zgjidhje e pranuar nga BE, shkon kundër standardeve të BE. Nuk ka asgjë për tu krenuar me një aferë korruptive ku janë të përfshirë 3 ministra, 3 kryetarë bashkisë dhe vetë kryeministri”, shtoi Tabaku.

Duke folur për situatën e ndodhur jashtë selisë blu gjatë ditës së sotme ku Albana Vokshi dhe Evi Kokalari patën një përplasje me një simpatizante të PD, Tabaku tha se nuk i pëlqen situata ku ndodhet partia në këto momente. Këtu theksi se aksioni opozitar duhet të fokusohet të qeveria dhe inceneratorët, jo mes njëri tjetrit.

“PD është zyrtare çdo demokrat është i mirëpritur të vijë. Korridoret ishin hapur korridoret ishin hapur s’kishte asnjë zyrtar të PD që të kishte një koment ose reagim. Reagimet emocionale të njerëzve që ndodhen në oborr si ndalojmë dot. Mua nuk më pëlqen situata që po kalohet në PD, mua më duket se në vend që ti bërtasim kësaj afere, të gjithë energjitë tona duhet të ishin në këtë drejtim, opozita duhet të ishte kundrejt Ramës”./abcnews.al


Shtuar 15.12.2021 20:02