Sulmi rus në Ukrainë, ministrja Xhaçka tregon si është gjendja e shqiptarëve atje

Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka ka reaguar pas nisjes së sulmeve ruse në Ukrainë.

Xhaçka ka dhënë informacion për shqiptarët që ndodhen momentalisht në zonat e konfliktit.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Xhaçka është shprehur se tre shqiptarë kanë kërkuar ndihmë në Ambasadën Shqiptare atje, dhe u është mundësuar largimi i tyre nga Ukraina.

Gjithashtu, ministrja tha se janë 11 shqiptarë që punojnë pranë misionit të OSBE në Kiev. Prej tyre 6 janë larguar dhe 5 të tjerë vazhdojnë të qëndrojnë.

“Ndonëse në numër të vogël, që para 10 ditësh ministria ka bërë thirrje për largim nga Ukraina. Që prej atëherë ambasada jonë në Varshavë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm. Deri më sot ata nuk kanë kërkuar asistencë. Vetëm sot 3 qytetarë kanë kërkuar asistencë. U kemi siguruar kalimin në rrugë tokësore.

Sa i përket shtetasve shqiptarë në misionin e OSBE në Ukrainë, 6 janë largua dhe 5 janë ende në Ukrainë. Jemi në kontakt me OSBE”, tha Xhaçka.

Ndërkaq, në fjalën e saj në Kuvend, Xhaçka tha se pushtimi i Ukrainës është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar, duke dënuar kështu agresion rus. Ministrja tha se Shqipëria ka bërë të  qartë edhe si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB.

“Mëngjesi i sotëm solli  lajmin më të keq të mundshëm. Një shtet anëtar i OKB, anëtar i përhershëm i këshillit të sigurimit u kthye në agresor dhe shkelës së pavarësisë territoriale. Ky veprim është agresion jo vetëm ndaj Ukrainës. Pushtimi i Ukrainës është shkelje flagrante, i të drejtës ndërkombëtare. Në kundërshtim me të gjithë historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, sulmi për pushtimin kërkon ti imponojë botës parimin forcës. Shqipëria mbështet me vendosmëri pavarësinë territoriale të Ukrainës. Dënon aktin e agresionit rus. Situata e paprecedentë i jep peshë edhe rolit tonë si anëtare e këshillit të sigurimit.

Shqipëria vazhdon të lobojë për të siguruar një mbështetje sa më të gjerë. Si bashkëpenëmbajtëse me SHBA-në Shqipëria mori fjalën e para në mbledhjen e këshillit të sigurimit. Shqipëria po jep kontribut të mirëfilltë. Në kuadër të OSBE Shqipëria ka mbajtur qëndrim të fortë në mbështetje të pavarësisë së Ukrainës. Po vazhdon të koordinohet në takimet e nivelit të lartë.

Sulmi ndaj sigurisë evropiane e bën edhe më të domosdoshëm një front të përbashkët. Në rajon ne jemi jo vetëm vend anëtar i NATO.

Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë që përputhet me atë të SHBA dhe BE, duke e bërë të dallueshme në rajon. Po ndjekim me vëmendje qëndrimet e vendeve të rajonit”, deklaroi ministrja./albeu.com/