Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që po merret me hetimin e sulmit të 6 janarit në Kapitol votoi dje për ngritjen e akuzave kundër Steve Bannon, një prej këshilltarëve për kohë më të gjatë më të vjetër të ish-Presidentit Donald Trump, për refuzim të bashkëpunimit gjatë procesit të hetimeve.
Komisioni i kontrolluar nga demokratët, po heton për t’u dhpnë përgjigje pyetjeve, se përse dhe si, mbështetësit e zotit Trump sulmuan ndërtesën e Kapitolit, ndërsa ligjvënësit po çertifikonin fitoren e demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.
“Një ditë para se gjithë kjo të ndodhte, më 5 janar zoti Bannon përmes një deklarate tregoi se kishte dijeni për të. Ai tha ‘ferri do të shpërthejë nesër’. Ai parashikoi se ajo ditë do të ishte dryshe nga ajo që prisnin amerikanët. Ai i tha audiences së tij se shumë njerëz i kishin thënë se në rast revolucioni, do të ishin në Uashington. Ai tha se ky është momenti i tyre në histori. Sipas hetimeve të komisionit, duket se zoti Bannon kishte njohuri paraprake për planet e 6 janarit dhe duket se ai luajti një rol të rëndësishëm në ato plane”, thotë ligjvënësja republikane Liz Cheney, nënkryetare e komisionit.
“Zoti Banon vazhdon të kundërshtojë që të dëshmojë. Kjo është e papranueshme. Askush në këtë vend, pavarësisht pasurisë dhe fuqisë, nuk është mbi ligjin. Nëse nuk adresohet, kundërshtimi i tij mund të nxisë të tjerët të ndjekin rrugën e zotit Bannon”, tha kryetari i komisionit Bennie Thompson,
Paneli miratoi ngritjen e akuzave kundër zotit Bannon. Çështja shkon tani për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, gjë që pritet të bëhet të enjten.
Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton pro ngritjes së akuzave, çështja i kalon prokurorit federal në Uashington, ku një juri e madhe vendos për ngritjen, ose jo të padisë ndaj zotit Bannon.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri me një vit burg edhe pse vuajtja e dënimit në rrethana të ngjashme, është e pazakontë dhe e rrallë.
Ish-Presidenti Donald Trump është munduar të pengojë hetimet e komisionit mbi shkaktarët e trazirave dhe rolin e tij në to. Zoti Trump ngriti një padi të hënën, me pretendimet se komisioni bëri një kërkesë të paligjshme, të pabazuar dhe të tepruar për të marrë regjistrimet e tij në Shtëpinë e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë nën Presidentin Biden ka argumentuar se zoti Trump nuk gëzon privilegje ligjore për të penguar kërkesën, gjë për të cilën ligjvënësja Cheney duket se pajtohet.
Republikanët në Senat kanë penguar krijimin e një komisioni të pavarur për të hetuar sulmin, një panel që do të ishte krijuar sipas modelit të komisionit që hetoi sulmet terroriste të vitit 2001 në SHBA.
Në përgjigje, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga Demokratët, krijoi një panel hetues prej nëntë anëtarësh, ku bëjnë pjesë dy ligjvënës republikanë, kritikë të zotit Trump. /VOA/