Sulm me bombë në Pakistan, 9 policë të vrarë

Të paktën nëntë policë u vranë dhe 16 të tjerë u plagosën pas një sulmi terrorist në autobusin me të cilin po udhëtonin sot në Pakistanin jugperëndimor, tha policia.

“Personi me bombë ishte duke hipur në një motoçikletë dhe u përplas në pjesën e pasme të autobusit,” tha Abdul Hai Amir, një zyrtar i policisë lokale.

Sulmi ndodhi në qytetin Dadar në rrethin Katchi, rreth 120 kilometra në juglindje të Quetta, kryeqyteti i provincës Balochistan.

Numri i të vdekurve mund të rritet pasi tetë të plagosur janë në gjendje kritike.

Ky është incidenti i fundit në një seri sulmesh kundër policëve në Pakistan. Asnjë organizatë nuk ka marrë ende përgjegjësinë.

Balochistani është një provincë e madhe, e varfër dhe pak e populluar e Pakistanit, në kufi me Afganistanin dhe Iranin.

Provinca është e pasur me hidrokarbure dhe minerale, por banorët e saj, gati 12 milionë njerëz, ankohen se qeveria pakistaneze i ka margjinalizuar dhe po vjedh burimet natyrore të rajonit.

Për vite me radhë ka qenë skenë e konflikteve të dhunshme ndërmjet grupeve të ndryshme etnike dhe fetare.

Në rajon, policia është shpesh shënjestër e sulmeve nga grupet kryengritëse lokale ose talebanët pakistanezë./Albeu.com/


Shtuar 6.03.2023 09:09