Sula flet për vrasjen në Pogradec: Institucionet të mos e ‘vrasin’ për herë të dytë

Deputeti i opozitës Dashnor Sula, në një postim në rrjete sociale ka reaguar për ngjarjen e rëndë në Pogradec, ku Egli Proga humbi jetën pas dhunës nga 29-vjeçari Denis Meçe, ngjarje e cila u tentua të fshihej.

Gjykata e akuzon autorin për vrasje nga pakujdesia, duke e zbutur atë në maksimum, akuzë të cilën Sula e ka quajtur skandal. Deputeti thotë se “të fortët me imunitet i’a morën jetën” dhe se “institucionet dështuan të parandalonin ngjarjen dhe të jepnin ndihmën e shpejtë”, por më e pakta që mund të bëjnë thotë ai, është të mos e vrasin për herë të dytë.

Sula i ka bërë thirrje KLP, ILD që “të lënë pushimet e të hetojnë rastin”, pasi autori duhet të marrë ndëshkimin e duhur, shton ai.

Postimi i plotë i Sulës

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar!

Po lexoj në media se akuza e ngritur ndaj autorit qe i shkaktoi vdekjen 42-vjeçarit ne Pogradec është “Vrasje nga pakujdesia”, në një kohë që informacionet dhe dëshmitë e para janë: 42-vjeçari u dhunua barbarisht nga autori.

Nëse këto raportime janë të vërteta atëherë ky është një skandal.

Mbi autorin duhet të rëndojnë më së paku akuzat: Shtrëngim për marrje pasurie dhe Plagosje e rëndë me dashje me pasojë vdekjen. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, ndërsa këto që ndodhin në Shqipëri nuk mund të kenë emër tjetër veçse SKANDAL, që meriton vëmendjen e të gjitha institucioneve shtetërore ku gjithësecili të nxjerrë pergjegjësit dhe t’i vendos para drejtësisë.

I ndjeri 42-veçari Eglantin Proga ishte një familjar i rregullt, i cili për të mbajtur familjen e tij bënte dy pune. Por ja që të fortët me imunitet i’a morën jetën. Institucionet dështuan të parandalonin ngjarjen dhe të jepnin ndihmën e shpejtë. Tani më e pakta është që institucionet të mos i “vrasin” për herë të dytë.

I bëj thirrje KLP, ILD që të lënë pushimet e të hetojnë rastin. Autori duhet të marrë ndëshkimin sipas ligjeve ne fuqi.


Shtuar 13.08.2024 21:48