Nuk ka verë që mos jemi pickuar ndonjëherë nga mushkonjat. Dhe të gjithë këtu biem në një mendje: Mushkonjat ta shpifin. Por aromat e prodhuara nga njerëzit janë ato që tërheqin mushkonjat.
Në një raport shkencor të botuar të premten, shkencëtarët ndihmuan në përcaktimin e kimikateve të ndryshme në erën e trupit që tërheqin këto insekte.
Mushkonjat janë pjesë e familjes së mizave dhe shumicën e kohës ushqehen me nektar. Megjithatë, femrat që përgatiten për të prodhuar vezë kanë nevojë për një vakt me proteina shtesë: gjak.
Skenari i rastit më të mirë, kafshimi do t’ju lërë me një gungë të kuqe që kruhet. Por pickimi i mushkonjave shpesh bëhet vdekjeprurës, falë parazitëve dhe viruseve që transmetojnë insektet. Një nga sëmundjet më të rrezikshme është malaria.
Një studim i ri ka identifikuar acidet karboksilike si një nga faktorët që i bëjnë mushkonjat më të tërhequra nga disa njerëz sesa të tjerët.
Mushkonjat tërhiqeshin më shumë nga acidet karboksilike të ajrit, duke përfshirë acidin butirik, një përbërës i pranishëm në djathërat me erë të keqe, si Limburger.
Këto acide karboksilike prodhohen nga bakteret në lëkurën e njeriut dhe priren të mos jenë të dukshme për ne.
Ndërsa acidet karboksilike tërhoqën mushkonjat, insektet dukej se u penguan nga një kimikat tjetër i quajtur eukaliptol, i cili është i pranishëm te bimët dhe që kalon te njerëzit përmes frutave dhe perimeve që ata konsumojnë.