Këtë të shtunë, kryeministri Edi Rama, reagoi sërish për protestat e studentëve, duke lënë të kuptohet se pavarësisht thirrjeve për dorëheqje, ai nuk do të largohet.
Ai tha se qeveria respekton të drejtën e tyre për të protestuar, por nuk do të lejojë që dhuna dhe shkatërrimet të rrezikojnë të ardhmen e vendit.
Të lidhura
None found
Në mesazhin e tij, Rama theksoi se zëri i studentëve duhet të dëgjohet dhe se e drejta e tyre për protestë do të mbrohet, por sërish akuzoi opozitën dhe “duart e huaja” që sipas tij duan që Shqipëria të mos ecë përpara.
“Ne i respektojmë studentët, unë e çmoj forcën e ëndrrave të tyre si motorin e të ardhmes, si shtysën për të ecur më shpejt përpara. Zëri i tyre duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si e drejtë [për të cilën në kemi luftuar në kohë të ndryshme. Por pikërisht pse të rinjtë janë e ardhmja jonë, unë nuk do të lejoj askënd dhe asgjë ta rrezikojë të ardhmen e këtij vendi, as për përfitime politike të atyre duarve të paudha që janë rikthyer me tërbimin e djegies dhe shkatërrimit dhe as për qëllimet e prapështa të duarve të huaja që janë futur për të na ndalur. Përgjegjësia ime është me e qartë në këto orë të vështira sesa në cdo orë të mira. Të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë dhe ta çoj Shqipërinë përpara së bashku me këtë shumicë qeverisëse që ka një mandat të qartë, Shqipërinë 2030 në BE”, tha Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se do të ngrihen grupe për të verifikuar dëmet në bizneset e vogla në Tiranë, ndërsa përmes platformës e-Albania do të krijohet një dritare “Dëmi im” ku subjektet mund të regjistrojnë dëmet dhe të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, per tu dëmshpërblyer.






