Qeveria ka miratuar strukturën e re të menaxhimit të sistemit arsimor parauniversitar, që nis zbatimin nga 1 tetori i 2024-ës.
Ndryshe nga plani i mëparshëm vihet re fuqizimi i institucioneve qendrore dhe rajonale, duke ulur kështu peshën e zyrave vendore arsimore.
Me skemën e reformuar, Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar si hallka kryesore për institucionet arsimore shton numrin e të punësuarve, nga 20 shkon në 33 punonjës. Ndërkohë që drejtoritë rajonale do të kenë 55 persona më shumë në punë, nga 60 punonjës do të ristrukturohet me 115 punonjës.
Katër drejtorive rajonale ekzistuese të Durrësit, Fierit, Korcës dhe Lezhës, me urdhër të firmosur nga kryeministri Edi Rama, i shtohet edhe drejtoria e qarkut më të madh të Tiranës.
Kjo lëvizje ishte e shumëkërkuar nga specialistët, pasi Tirana kryeson për numrin më të lartë të shkollave në të gjithë Shqipërinë, por që në skemën e vjetër ishte në varësinë e drejtorisë rajonale të Durrësit, që e bënte të pamundur funksionimin siç duhet. Në skemën e re të siguruar ekskluzivisht nga Top Channel, Agjencia Kombëtare me 13 punonjës më shumë, shton edhe pozicionin e zv drejtorit si dhe sektorin e shërbimeve mbështetëse, që do të sjell edhe emërime të reja.Nga studimi i strukturës planifikohet një ndryshim i numrit të punonjësve të kurrikulës dhe inspektimit. Nëse më parë kishte në nivel qendror e rajonal 45 punonjës nga 80, ose 60%, nga 1 tetori do të kemi 66 punonjës nga 148,ose 45% që do të thotë me rritjen e personelit ulet përqindja e dedikuar në këtë fushë.
Ky ndryshim në numra pritet të shoqërohet me riformatim të zyrave vendore arsimore… por mbetet për tu parë nëse do të ndikojë kjo strukturë e fuqizuar në nivel qendror në rritjen e numrit të inspektimeve dhe cilësisë në arsim.