Shqipëria do të marrë pjesë fillimisht në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gaza me oficerë shtabi. Këtë e konfirmoi ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë një interviste për Euronews Albania.
Sipas Nufit, pasi përfundoi misioni i rikonjicionit dhe u analizua raporti i përgatitur nga oficerët shqiptarë, Shtabi i Përgjithshëm ka përcaktuar nivelin fillestar të angazhimit të Forcave të Armatosura shqiptare në këtë operacion.
Të lidhura
None found
Ai sqaroi se në fazën e parë do të dërgohen oficerë shtabi, të cilët do të përfshihen në strukturën komanduese të forcës ndërkombëtare në Gaza. Më vonë, në varësi të zhvillimeve në terren dhe vlerësimeve operative, do të merret vendim edhe për dërgimin e trupave të tjera.
“Do të dërgojmë oficerë shtabi që të bëhen pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Pas vlerësimit të situatës dhe nevojave në terren, do të vijojmë me fazën e dytë për të përcaktuar konkretisht trupat që mund të angazhohen në mision”, u shpreh Nufi.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se ky vendim do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave përmes akteve nënligjore përkatëse.
Ai nënvizoi se ky angazhim i Shqipërisë përputhet me qëndrimin e shpallur më herët nga kryeministri për pjesëmarrjen në nismat ndërkombëtare të paqes dhe stabilitetit.
Nufi theksoi se numri i oficerëve që do të nisen dhe hapat e mëtejshëm të misionit do të bëhen publikë vetëm pasi vendimi të marrë miratimin e Këshillit të Ministrave.
“Gjithçka do të koordinohet me strukturat komanduese të forcës ndërkombëtare. Pas miratimit të vendimit të Këshillit të Ministrave do të bëjmë publike edhe numrin e oficerëve të shtabit që do të nisen fillimisht, si dhe fazat e tjera të angazhimit”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
