“S’thashë kurrë që do të qëndroj gjithnjë këtu”, Kane: Dua të bëhem më i miri, si Messi dhe Ronaldo

Hary Kane flet për herë të parë pas kërkesës për t’u larguar nga Totenhemi. Sulmuesi i “Spërsave” i tha Geri Nevilit gjatë një interviste për “Sky Sports” se ai dëshiron të luftojë për trofe dhe nuk do të ketë pengje në fund të karrierës. Mançester Siti, Junajtid dhe Çelsi janë të interesuara për shërbimet e bomberit 27-vjeçar dhe kanë kontaktuar me përfaqësuesit ligjor të kapitenit të Anglisë për të vendosur kontaktet.

“Unë nuk dua të shkoj në fund të karrierës dhe të kem ndonjë peng. Dua të jem më i miri i mundshëm. Nuk kam thënë kurrë që do të qëndroj me Totenhemin deri në fund të karrierës time dhe nuk kam thënë kurrë as që do largohem nga ‘Spërsat’. Por, ndiej se kam ende një karrierë tjetër përpara. Kam 7-8 vite që luaj në Premier Ligë. Kështu që nuk po nxitoj për asgjë dhe nuk jam i dëshpëruar për të bërë diçka”, tha Kejn.

MË I MIRI

Ai është aktualisht në krye të klasifikimit të golashënuesve në Premier Ligë dhe deri tani në karrierë ka fituar dy “Këpucë të Arta”. Këto arritje e kanë bërë atë një prej sulmuesve më të mirë në botë, por Kejn thotë se objektivi i tij përfundimtar do jetë të mbërrijë në të njëjtat nivele me Kristiano Ronaldon dhe Lionel Mesin, dy futbollistët më të mirë të brezit të tyre. “Kam ende shumë për të dhënë. Mund të prodhoj shifra më të mira sesa po bëj për momentin. Nuk kam frikë ta them: ‘Dua të bëhem më i miri’ dhe arrij nivelin e Ronaldos dhe Mesit. Ky është objektivi im përfundimtar, të fitoj trofe çdo sezon, duke shënuar 50, 60, 70 gola. Presioni që i bëj vetes është gjithnjë më i madh sesa çdo presion tjetër”.

MUNGESA E AMBICIEVE

“Spërsat” nuk duan ta shesin yllin e tyre, por fakti që ata do ta mbyllin sezonin pa fituar trofe dhe ndoshta edhe pa ndonjë vend në Europë, zor se do ta bindë sulmuesin që të ndryshojë mendje. Ata nuk janë kualifikuar në Champions për të dytin vit radhazi dhe Kejn pranon se është e vështirë të shohësh progresin e Mançester Sitit dhe Çelsit, dy nga klubet e interesuara për shërbimet e tij, që shkuan në finalen e kompeticionit këtë sezon:

“Unë dua që të luaj në ndeshjet më të mëdha. Këtë sezon shoh Ligën e Kampioneve dhe klubet angleze janë duke bërë një punë të shkëlqyer. Këto janë ndeshjet në të cilat unë dua të luaj. Ky është një moment në karrierën time ku unë duhet të reflektoj dhe të shoh se ku jam. Në fund do të vendos unë, se si ndihem dhe cila do të jetë gjëja më e mirë për mua dhe karrierën time”.


Shtuar 21.05.2021 11:43