Spiunonte për Moskën, arrestohet një shtetas i huaj në Poloni

Polonia ka arrestuar një shtetas të huaj me akuzën e spiunimit për Rusinë, thanë prokurorët të hënën.

Vendi më i madh në krahun lindor të NATO-s është gjetur gjithnjë e më shumë në shënjestër të shërbimeve të inteligjencës së Moskës që nga fillimi i luftës.

Varshava thotë se është shpesh objekt i spiunazhit dhe dezinformimit të Moskës.

Prokurorët në Gdansk thanë në një deklaratë se i dyshuari ishte arrestuar më 21 mars.

“Gjetjet e bëra në këtë rast tregojnë se i dyshuari ka vepruar në dobi të inteligjencës ruse duke marrë dhe mbledhur informacione… mbi infrastrukturën kritike në rajonet e Pomeranisë dhe Kujavia-Pomeranisë dhe mbi aktivitetet e shërbimeve dhe organeve përgjegjëse për sigurinë”, thanë ata.

“Informacioni i marrë i është përcjellë shërbimit inteligjent rus”, shtohet në deklaratë.

Arrestimi vjen pasi Polonia çmontoi një rrjet spiunazhi rus që kishte përgatitur akte sabotimi dhe monitorim të rrugëve hekurudhore për në Ukrainë.

Nëse shpallet fajtor, i dyshuari mund të përballet me 10 vjet burg. /albeu.com


Shtuar 27.03.2023 11:51