GJKKO përmes një njoftimi zyrtar, bën me dije se ka vënë nën sekuestro preventive inceneratorin e Tiranës.
SPAK po heton për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendor”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim”.
Nga aktet e administruara nga SPAK, rezulton se, në lidhje me kontratën e koncesionit të vitit 2017 për “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k,, me kosto të investimit të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro pa TVSH, ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.
Sipas SPAK, Zoto dhe Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.
Gjithashtu është evidentuar fakti se Zoto dhe Mërtiri janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi.
“Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar perfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit. Bazuar në kërkesën e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.95, datë 28.07.2023, ka vendosur:
1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë si më poshtë:
2. Personi juridik “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k., me Nipt L72031013B, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
3. Personi juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me Nipt L02302032C, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij.
4. Pasuria e paluajtshme në zotërim të shoqërisë “F.M.O.” sh.p.k, lloji pasurisë “njësi”, me sipërfaqe 611 m2, me adresë Durrës.
Me ekzekutimin e vendimit nr.95 datë 28.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është ngarkuar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, thuhet me tej në noftim.
Kujtojmë se qeveria shqiptare në 2016 kur shpalli koncesion PPP për djegien e plehrave me incenerim e argumentoi këtë politikë, me faktin se investitori privat do të kryente investimin me fondet e veta, të cilat do të shlyheshin më vonë viti pas viti nga buxheti. Por realisht inceneratoret kanë marrë dhe vijojnë të marrin pagesa të cilat nuk i kanë të justifikuara më punë. Në praktikën e investimeve publike, inceneratorët janë një shembull i paprecedentë i shpërdorimit të fondeve publike nga një kompani private. Për me tepër kompania që ka shpërdoruar taksat e shqiptarëve është ndihmuar një spektër i gjere zyrtarësh dhe nëpunësish publik, disa prej të cilëve janë në burg dhe të tjerë në hetim.