Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për inceneratorin e Fierit dhe këtë të hënë i komunikoi akuzat Alqi Bllakos.
Ish deputeti sipas Prokurorisë është përgjegjës për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Pritet që në vijim akuzat t’i komunikohen edhe personave të tjerë të akuzuar në këtë dosje, përfshi edhe ish ministrin Lefter Koka.
SPAK për këtë dosje mori nën hetim edhe 11 persona të tjerë disa javë më parë të akuzuar se nëpërmjet një skeme mashtrimi me fatura fiktive kishin përfituar miliona lekë.
Kujtojmë se SPAK ka deklaruar dhe më herët se ka identifikuar në inceneratorin e Fierit një skemë të ngjashme me atë të Elbasanit, në bazë të së cilës, kompanitë koncesionare kanë paguar ryshfet te zyrtarët duke përdorur kompani fiktive dhe fatura për punime të pakryera.
Një shumë prej 146 milionë lekësh besohet se ka përfunduar në xhepat e ish-ministrit Lefter Koka, i cili është aktualisht në burg, i dyshuar për përfitime të ngjashme nga koncesioni i inceneratorit të Elbasanit.
Përgjegjësit për këtë skemë dyshohet se janë shtetasit Klodjan Zoto, i cili sakaq është shpallur në kërkim dhe shtetasi Arenc Myrtezani, i cili është administrator i kompanisë së koncesionit të Fierit./albeu.com