Debate dhe akuza të ndërsjella kanë shoqëruar seancën gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Prokuroria e Posaçme kërkoi që të rrëzohen të 23 kërkesat e tij, me argumentin se nuk mbështeten në ligj, ndërsa Beqaj akuzoi SPAK-un se po e përdor pavarësinë e siguruar nga Reforma në Drejtësi për të cenuar të drejtat e të pandehurve.
Përpara trupit gjykues, prokurori i posaçëm Edvin Kondili deklaroi se pretendimeve të ngritura nga ish-ministri u është dhënë përgjigje si gjatë hetimeve, ashtu edhe në seancën paraprake.
Të lidhura
None found
SPAK argumentoi se kërkesa për pavlefshmërinë e njoftimit të akuzës nuk duhet të pranohet, pasi veprimet janë miratuar nga gjyqtari paraprak. Për pretendimin se akuza për vjedhje nuk provohet, prokurorët thanë se Beqaj nuk po formulon kërkesa, por po shtron pyetje që do të marrin përgjigje në fazën e konkluzioneve përfundimtare.
Prokurorët pranuan se mosgjetja në Ministrinë e Shëndetësisë e kontratës origjinale të prokurimit përbën shkelje. Megjithatë, ata sqaruan se në FSDKSH është gjetur kopja e njësuar, e cila konsiderohet provë plotësisht e vlefshme. SPAK mbrojti gjithashtu vlefshmërinë e të dhënave të siguruara nga kontrolli elektronik i kompjuterave.
Në kundërpërgjigje, Ilir Beqaj këmbënguli se prokurorët e posaçëm kanë konsumuar shkelje të rënda procedurale, duke ia vështirësuar mbrojtjen. Në sallën e gjyqit, ai tha se organi i akuzës kishte pranuar cenimin e hapur të të drejtave të tij gjatë fazës hetimore dhe se, për këtë arsye, tashmë e kishte të vështirë të mbrohej. Sipas ish-ministrit, prokurorët e kanë fituar pavarësinë nga drejtuesi i prokurorisë, por pas Reformës në Drejtësi po e shfrytëzojnë atë për të shkelur të drejtat procedurale dhe për të vepruar sipas dëshirës.
Beqaj pretendoi gjithashtu se kallëzimi kundër tij duhej të ishte refuzuar që në fillim, sepse, sipas tij, mbështetej te pyetje dhe jo te fakte të përcaktuara. Ai ngriti dyshime edhe për certifikimin e laboratorit forenzik të SPAK-ut dhe kërkoi që gjykata ta urdhërojë prokurorinë të provojë nëse pajisjet me të cilat janë ekzaminuar kompjuterat janë të certifikuara sipas standardeve.
Pas parashtrimeve të palëve, trupi gjykues nuk mori menjëherë vendim për kërkesat. Seanca e ardhshme u shty për më 11 shtator, kur gjykata pritet të shpallë zyrtarisht qëndrimin e saj për fatin e 23 kërkesave të ish-ministrit.
