Sot po zhvillohet mbledhja e tretë e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Në nisje të seancës, deputeti Edmond Spaho, paralajmëroi se nuk do të jetë më anëtar i këtij komisioni, me arsyetimin se procesi do të sabotohet nga opozita.
“Raste si Stela Gugallja nuk e nderojnë këtë komision. Mazhoranca do që ky komision do të dështojë. Nuk dua të jem pjesë e këtij komisioni dhe nga sot e në vazhdim nuk do jem pjesë e komisioneve derisa ata që kërkojnë komisionet hetimore të kenë shumicën. Në Shqipëri nuk mbahen referendume dhe do të ndërmarr një iniciativë ligjore që të ndryshojë ligjin për komisionet hetimore. Mazhoranca në daç ta votojë në daç jo. Unë e ndjej si detyrim këtë gjë, faleminderit”, tha Spaho.
Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku theksoi se vullneti është që ky proces të shkojë përpara dhe në fund të dalin me rezultate konkrete.
“Unë ju falenderoj, ndaj disa nga shqetësimet tuaja. Si për gazetarin Rama dhe rastet e tjera, ka qenë dëshira ime që ju të ishit anëtar në komision. Dua t’ju kundërshtoj. Ky komision po hedh dritë për këtë aferë, nuk e lë unë që të dështojë. Ne nuk kemi pasur kompromis për diçka apo për këdo. I falenderoj anëtarët e komisionit, e po hedhim dritë për këtë aferë. Unë kam kërkuar këshilltarit ligjor për përjashtimin e zonjës Felaj. Do shumë guxim dhe integritet t’i vendosësh emër komisionit. Unë falenderoj deputetët e opozitës për këtë. I di vështirësitë për këtë. Unë shpresoj që juve të jenë pjesë e këtij komisioni, nëse gjykoni të mos jeni kemi zëvendësues, por është një përpjekje në ekip për t’i dhënë spunton e duhur këtij komisioni. Ju e shikoni se çfarë pyetjesh i bëjmë dëshmitarëve, pa asnjë kompromis. Ju do të doja të jeni pjesë, ju keni drejtuar disa komisione, unë e kam për herë të parë. Duhet t’ia dalim të gjithë si ekip”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër, administratori i inceneratorit të Fierit, Lorant Dusha nuk është paraqitur sot në Komisionin Hetimor ku ishte thirrur për të dëshmuar, me arsyetimin se ishte prekur nga Covid-19.
Pasi dha njoftimin, Tabaku kërkoi nga administrata e Kuvendit, që të riskedulojmë takimin në platforma online.
“Në orën 10:00 ne kishim thërritur për të dëshmuar zotin Lorant Dusha, administrator i inceneratorit të Fierit. Ai kishte dëgjuar që ishte dëshmitar, ne i kishim nisur një shkresë që e kishte sjellë mbrapsht.
Na kishte sjellë përgjigje që është shumë i dëshiruar që të vijë në këtë komision, do patjetër që të dëshmojë, kishim rënë dakord që do të vinte ndërsa sot në mëngjes sjell një letër që është me Covid. Kështu sëmuren këta me Covid sa herë ndodh diçka.
Ky Komision do të presi 24 orë, do t’i kërkoj Kuvendit që ta riskedulojmë takimin që të komunikojmë me të me një nga platformat e teknologjisë.” u shpreh Tabaku./albeu.com