Spaho e Korreshi në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë: Rama dhe shoqja Vilma Nushi, të na tregojnë ku shkuan 1.7 mln euro?

Këtë të mërkurë, mes debatesh dhe tensionesh, ka nisur puna në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir beqaj, u rikhye në Kuvend me pranga në duar i shoqëruar nga policia.

Beqaj u tregua i kujdesshëm që prangat të cilat i rrethonin duart, t’i mbulonte me xhaketë për t’i shpëtuar syrit të medias.

Partia Demokratike, këmbëngul tek thirrja e Ramës dhe Vilma Nushit, si dëshmitar dhe kërkon zgjatjen e afatit të këtij komision.

Deputeti demokrat Edmond Spaho, përsëriti në hetimorin e Sterilizimit edhe një herë kërkesën e opozitës për dëshminë e Edi Ramës në Komision.

“Pa dëshminë e Edi Ramës nuk duhet të mbyllet komisioni. Mazhoranca nuk ka pse të jetë kokëfortë. Nuk janë paratë e mia, por të qytetarëve. Jemi në parlament për të administruar paratë e qytetarëve. Vjedhje e turpshme dhe duhet mbajtur përgjegjësi”, tha Spaho.

Ndërsa deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, ka kërkuar që biznesmenja Vilma Nushi, duhet të paraqitet në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin dhe Check-up.

Korreshi ironizoi gjatë mbledhjes teksa u shpreh se; biznesmenja duhet të paraqitet në Komision për të treguar përbërësit kryesorë që në divident mori 1.7 mln euro.

Saimir Korreshi: “Vilma Nushi duhet të vijë se s’bën, nuk është ndryshe nga ata që kanë përfituar nga koncesion. Edhe majonezë dhe ketchup-in e këtyre, shoqja Vilama duhet të vijë të na tregojë si është gatuar dhe se si kanë qenë përbërësit kryesorë që në divident mori 1.7 mln euro, këtë shqiptarët duhet me domosdoshmëri ta dinë. Sa i përket shtetasve të huaj, duhet ti përgjigjen në momentin që kanë pranuar të bëjnë tregti e biznes në Shqipëri, janë të detyruar e duhet të zbatojnë ligjet“.