Sot u plagos me breshëri plumbash, si i shpëtoi atentatit me 100 plumba djali i biznesmenit të njohur dy vite më parë (FOTO LAJM)

Një atentat me armë zjarri ndodhi ditën e sotme, rreth orës 16:00 në qytetin e Pogradecit.

Sipas burimeve, plagosja me armë zjarri ka ndodhur si pasojë e një konflikti disa vjeçar që ka ekzistuar mes autorëve dhe të plagosurit.

Raportohet gjithashtu se atentati ka lidhje me një tjetër atentat që është bërë në Gusht të vitit 2020 në Hotel Voloreka në Pogradec.

Joan Muçllari, djali i pronarit të hotelit, në atentatin e parë u ka shpëtuar plumbave pasi ishte në hotel duke fjetur në momentin e breshërisë së plumbave të dy viteve më parë.

Aktualisht policia është vënë në kërkim të autorëve njëri prej të cilëve ka qenë i përfshirë edhe në atentatin e 2020. Në atentatin e mëparshëm në Gusht të 2020, u qëllua me 100 plumba në drejtim të makinave të parkuara, duke dëmtuar 6 makina luksoze.

Ndërkohë me 24 plumba kanë qëlluar vetëm makinën e pronarit, Jetmir Muçllari. Sipas informacioneve autorët qëlluan edhe në drejtim të dhomës së djalit të pronarit.

Në atë kohë pronari i Hotelit “Voloreka”, Jetmir Muçllari zbuloi se atentatorët kishin qëlluar disa herë në drejtim të dhomës së djalit të tij dhe dy dhomave të tjera, ku ishin turistë. Muçllari deklaroi se ndiheshin të kërcënuar të gjithë si familje dhe madje ka kërkuar mbrojtje nga policia.