Shefi i antidrogës në policinë kufitare të Ulqinit dhe Tivarit, Rudolf Elezoviç është vrarë.
Burime jo zyrtare nga policia malazeze thanë se nga këqyrja e trupit të pajetë, i cili u gjet pranë bregut të Bunës në fshatin Shëngjergj të Ulqinit, tregon se ai është vrarë.
Të njëjtat burime theksojnë se pas pak orësh pritet që të dalë i plotë zyrtarisht akti i ekspertimit të trupit të pajetë të 54-vjeçarit, i cili ishte raportuar i humbur që me datë 27 maj të këtij viti.
Mësohet se trupi i gjet rreth orës 21:40 minuta të së martës nga banorë të zonës.
54-vjeçari për herë të fundit ka folur me bashkëshorten, të cilës i tha se ishte nisur për në Shqipëri për arsye pune.
Sinjalin e fundit, telefoni i tij e dha në kufirin mes Shkodrës dhe Malit të Zi, mes fshatrave Pentar dhe Reç.
Përveç autoriteteve malazeze, hetimet i ka nisur dhe Prokuroria dhe Policia e Shkodrës. Fillimisht ato përqendruan tek një rrëmbim i mundshëm nga grupet kriminale të trafikut të drogës. Më pas, hetimet ndryshuan rrjedhë.
Mediat malazeze thanë se ai mund t’i fshihej policisë, pasi një bashkëpunëtor i drejtësisë e implikonte atë në trafikun e 2 ton kanabis, që u kap vitin e kaluar pranë kufirit me Shqipërinë, shkruan panorama.
Ai i tha hetuesve se oficeri i policisë i merrte para për lejimin e trafikut.
Elezoviç shërbeu si shef i policisë së Ulqinit për gati gjashtë vjet, deri në vitin 2014. Së fundmi punonte si oficer në sektorin e Antitrafikut në Ulqin e Tivar.