Sot është dita e fundit për 15 mijë punonjësit e shëndetësisë në sektorin publik dhe privat në Greqi që të vaksinohen. Duke filluar nga nesër, ata do të pezullohen nga puna dhe në rast vaksinimi, kjo nuk do të thotë se do të mund të kthehen në vendin e mëparshëm.
Ky është paralajmërimi i drejtpërdrejt i autoriteteve greke për mjekë, infermiere, sanitare dhe të tjerë, të cilat sipas tyre duhet të vaksinohen me detyrim. Në rast se nga nesër gjenden të pavaksinuar, ata do të pezullohen nga puna.
Gjasat janë që e njëjta praktikë të ndiqet edhe me kategori të tjera gjatë ditëve apo javëve në vijim.
Giannis Oikonomou tha dje për mediat se do të duhet që të vaksinohen edhe 1 milion grekë, në mënyrë që vendi të futet në shina të sigurta për përballimin e pandemisë.
Ai u shpreh se janë kryesisht të rinjtë që refuzojnë të vaksinohen, por raste të tilla shihen shpesh edhe në stafet e sektorit të shëndetësisë sipas tij.
Greqia është duke kaluar kulmin e valës së katërt të pandemisë aktualisht duke shënuar nga 3-4 mijë raste të reja çdo ditë. /abcnews.al