Socialistet lëshojnë në grup Lefter Allën, pas Ramës edhe Balla: Kërkoj falje!

Lefter Alla, kryebashkiaku i Bulqizës përfundoi ditën e djeshme në pranga me urdhër të SPAK.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialist, Taluant Balla, ka komentuar arrestimin e Allës, i cili akuzohet për korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë.

Balla tha se nuk ka turp të kërkojë falje për një person që ka arritur të kryejë veprime të tilla, e që ka mundur të depërtojë ndaj filtrave të PS-së.

Balla theksoi në “Top Story” se e njihte Allën dhe ishte i mirë, por lidhur me akuzën duhet të përballet me drejtësinë.

Balla: Kur ne kemi votuar ligjin e dekriminalizmit kemi pranuar se hapat tona verifikues nuk janë të tilla që t’i mund të kuptosh që me jetën e tyre private të kenë pasur probleme të këtij niveli, kemi bërë diçka që është jo kushtetuese, e vërteta është se ligji, jurisprudenca thotë se vepron nga ai moment e më tutje, që mos t’i shpëtojë askush detyrimit, po i japim fuqi.

Ke qenë spiun je gjendur anëtar i kreut të bashkisë së Skraparit do ikësh, PS dhe unë…këtu nuk kam turp të kërkoj falje që një person ka arritur të depërtojë këto filtra, kemi ngritur një rrjet që edhe kur arrijnë ta depërtojnë…kemi një legjislacion shumë të fortë, kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera, të verifikohet a ka vullnet politik kjo parti që t’i identifikojë dhe t’i heqë nga vetja.

Unë e kam njohur shumë mirë kreun e bashkisë së Bulqizës, ka qenë i mirë, por këtë gjënë, ai zotëria duhet të përballet me drejtësinë. Në të gjitha demokracitë e konsoliduara ndodh kjo gjë. Para pak ditësh oficerët hynë në rezidencën e presidentit të Amerikës. Sapo dolën në Eureport filet do të shkojmë dhe atje, vullneti politik.

Më herët ishte kryeministri Rama ai që deklaroi se Lefter Alla duhet të gjejë një avokat.

I pyetur në lidhje me “zyrtarët problematikë”, Rama theksoi se “PS nuk është zyrë avokatie për askënd, kështu që secili duhet të gjejë avokatë vetë” duke lënë të kuptohet që e kanë “lëshuar” Lefter Allën, ashtu siç lëshuan edhe të tjerë më të rendësishëm si ai.

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla u arrestua me urdhër të SPAK pasi akuzohet për abuzim me tenderat.

Prokuroria e Posaçme bëri me dije se ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” edhe për dhjetë zyrtarë të tjerë, si dhe dy punonjës janë lënë në “arrest shtëpie”, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me tenderat për ujësjellësin, pasi kanë qenë anëtarë të komisioneve.

Sipas SPAK vlera e tenderit për të cilën akuzohet Alla kap shumën e 322.439.000 lekëve të reja, me afat kohor 10 mujor.

Alla akuzohet  se favorizoi një kompani  për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen e vjetër të Bulqizës, duke shkaktuar dëm të konsideruar në buxhetin e shtetit. Punimet janë kryer nga kompania, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.

Arrestimi i Allës, vjen afro dy muaj para zgjedhjeve vendore të cilat do të mbahen në 14 maj në 61 Bashki të vendit. ./Albeu.com/


Shtuar 16.03.2023 22:16